Site icon Telegrafi

Kohë pandemie

Sot, bota më shumë se një vit po përballet me pandeminë më të madhe e më të rrezikshme që ka goditur ndonjëherë më parë njerëzimin. Kësaj pandemie nuk i shpëtoi as Kosova, shteti më i ri në botë

Edhe pas 21 vitesh lirie e 13 vitesh pavarësie, mbetet i vetmi shtet në këtë kohë të rëndë pandemie pa jetësimin e Ligjit të Sigurimit Shëndetësor!

Vallë, sikur ky ligj të jetësohej me kohë ndoshta të paktën pacientët e prekur nga ky virus i tmerrshëm e i pamëshirshëm, tinëzar e vdekjeprurës, në aspektin e shpenzimeve marramendëse të terapisë, analizave e vizitave mjekësore do të ishte më i përballueshëm emocionalisht, shpirtërisht e materialisht!

E, Qeveria e tanishme ta këtë prioritet jetësimin e këtij ligji!
Por, prioritet e mbi prioritet është urgjentisht sigurimi i vaksinave.
Vaksina është shpëtim për të gjithë ne.

Si shumë pacientë të tjerë, edhe unë u preka e u infektova nga COVID- 19, përkundër kujdesit për t’i respektuar me përpikëri masat e nevojshme mbrojtëse.

Madje, që një kohë të gjatë jam duke u mjekuar në Turqi, ku iu kam nënshtruar disa operacioneve kirurgjikourologjike, e gjatë kësaj kohe të pandemisë kam udhëtuar shpesh, por nuk u infektova!

Në fakt, virusin ” dhuratë”, e mora nga bashkëshortja ime që është infermiere në QKUK, ku ajo u infektua në spital, në kushte jo edhe aq të mira e të duhura të masave mbrojtëse, e me një rrezikshmëri të lartë për përhapje të virusit!

Pas disa ditësh nga ISHPK, më njoftuan se kam rezultuar edhe unë pozitiv!
Menjëherë u paraqita në Klinikën Infektive, ku mora trajtimin e duhur pa caktuar termin e pa marrë numër për të pritur me orë të tëra siç më ndodhi në Klinikën e Pulmologjisë.

Në korridore rrëmujë e numër i madh i pacientëve për t’u kontrolluar te mjeku, njëjtë si ata që ishin me Covid, si pacientë të tjerë me sëmundje kronike të mushkërive!
Më ofruan trajtimin e duhur pas pritjes aq të gjatë.
E, madje u detyrova të kërkoj ndihmë në një klinikë private, ku arsye e vetme ishte pulmologu, Dr.Skënder Baca.

Që në fillim, emocionalisht e shpirtërisht kisha një besim të thellë e të plotë në aftësitë e tij të jashtëzakonshme, profesionalizmin e humanizmin, shpirtbardhësinë e fisnikërinë, mirësjelljen e përkushtimin, përqendrimin e durimin, aftësinë e mënyrës së bashkëbisedimit, si dhe mirëkuptimin si mësimdhënës që jam, për lehtësimin e lirimit të pagesës!

Nga thellësia e zemrës e falënderoj me mirënjohjen më të thellë për kujdesin, këshillat e terapinë, si dhe fjalët e ngrohta që më mbushnin me vetëbesim duke më dhënë forcë, optimizëm e shpresë.

Pas gjendjes së rënduar shëndetësore, si dhe përballjes me këtë virus shumë të rrezikshëm, Dr.Skënderi është ai që më ktheu motivin e shpresën, optimizmin e forcën, ku bashkë me të e mundem këtë virus të pamëshirshëm!

Vetëm me vetëbesim e forcë, pa frikë e shqetësim, durim e disiplinë, e mundëm këtë virus gjakatar, e që është jo vetëm i pamëshirshëm, por edhe vdekjeprurës.

Një pyetje e kam për udhëheqje e QKUK-së, pse në disa raste pacientit nuk i ofrohen disa shërbime laboratorike, si p.sh. D- dimeri, ndërsa në laboratorët privatë kryhen të gjitha shërbimet e analizat e gjakut?!…

Të gjitha analizat që më janë kërkuar nga mjeku disa herë, i kam kryer me një mirëkuptim e bujari, si dhe me shumë profesionalizëm nga Dr.Afrim Kotorri, specialist i biokimisë klinike, në laboratorin e tij.

Ah, ky virus qoftë i mallkuar, jo vetëm që na ka sulmuar e dërmuar, lodhur e dobësuar, por edhe shumë na ka shpenzuar!

Virus vdekjeprurës që pamëshirshëm po rrëmben jetë njerëzish!
Të gjithë ata që kanë vdekur nga ky virus, u prehshin në paqe!

Megjithatë në Ditën e Pacientit, ku të gjithë pacientët po përballen me shumë vështirësi, duhet falënderuar mjekët, infermierët e infermierët jo vetëm në QKUK, por edhe në Spitalet Rajonale, si dhe në Mjekësitë Familjare për kontributin e jashtëzakonshëm, punën e palodhshme, për përkushtimin e kujdesin, si dhe ndihmën e ofruar për shërimin e pacientëve të prekur nga ky virus i padukshëm e i rrezikshëm, e që shumica prej tyre edhe vetë u prekën e u infektuan nga ky virus!

Ju lumtë!
Përjetësisht falënderues për Ju!

Për të gjithë ata pacientë që janë duke u mjekuar nga ky virus, paçi shëndet dhe ta përballoni e tejkaloni sa më lehtë, e sa më shpejt!
Shërim të plotë!
Ardhshin ditë të bardha për Kosovën dhe njerëzit e mirë të saj!
E vaksinat ardhshin sa më shpejt me shkëlqimin e ngrohtësinë e rrezeve të diellit, duke na kthyer shkëlqimin e dhuruar buzëqeshjen, si dhe shpresën e shpëtimit të jetës!

Fatmir Krasniqi,
Prishtinë

Exit mobile version