Xhevxhet Berisha, drejtor i klubit të futbollit për vajza “Dukagjini”, thotë për KALLXO.com se themelimi i tij është ditë historike për sportin në qytetin e Klinës.
Berisha thekson se ideja për themelimin e klubit për vajza ka gjetur përkrahje nga Drejtoria Për Kulturë Rini dhe Sport, ndonëse akoma nuk kanë gjetur një donator i cili do ta përkrahte klubin financiarisht.
“Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, e ka pajisur klubin me uniforma do të thotë, disa pajisje elementare për të filluar, kurse sa i përket donatoreve faktikisht besoj që se bashku me kryesin e klubit do të jemi në kontakt, do të bisedojmë dhe besojmë që do te kemi mbështetjen e qytetit të Klinës”, tha Berisha për KALLXO.com.
Ndërsa Hilë Marleku, trajner i klubit të ri, thekson se themelimi i klubit ka ardhur si rezultat i interesimit të madh të vajzave të Klinës dhe suksesit të tyre në gara rajonale të shkollave të regjionit të Pejës, ku janë stolisur me vendin e parë.
“E kemi zënë vendin e parë në regjionin e Pejës, prandaj mua me ka shtyrë dhe jemi motivuar edhe më shumë që ta formojmë klubin me përkrahjen e strukturave komunale si dhe shokëve dhe kolegët e mi”, tha Marleku për KALLXO.co.
Ai theksoi se klubi i femrave aspiron të marrë pjesë edhe në kompeticionet garuese të organizuara nga Federata e Futbollit të Kosovës.
E kontaktuar nga KALLXO.com, Kristina Lazri, drejtoreshë për Kulturë Rini dhe Sport në Komunën e Klinës, përmes telefonit deklaroi se “Kf Dukagjini” për vajza, do të përkrahet nga drejtoria përkatëse dhe shpreson në rezultatet e pozitive të tyre në kompeticionet garuese.
Për nder të themelimit të klubit të vajzave “Dukagjini”, u organizua një ndeshje miqësore me vajzat e Ferizajt.