Kina festoi sot 90-vjetorin e krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Popullit (People’s Liberation Army) me një paradë gjigante ushtarake, për të cilën mendohet se përbën një shfaqje force nga ana e ekonomisë së dytë në botë.
Presidenti kinez, Xi Jinping, i veshur ushtarakisht, inspektoi trupat nga pjesa e pasme e një xhipi të zbuluar në bazën e trajnimit Zhurihe, 400 kilometra në veriperëndim të Pekinit, ndërkohë që muzikë te tematikë ushtarake dëgjohej nga altoparlantët.
Televizioni shtetëror CCTV tregoi presidentin kinez duke kaluar në revistë 12 000 trupa, rreth 500 mjete të blinduara dhe avionë ushtarakë.
Zyrtarisht, ushtria kineze është themeluar më 1 gusht.
Përgatitjet për paradën e sotme të Zhurihe, baza më e madhe ushtarake aziatike me sipërfaqe 1 000 kilometra katrore, janë mbajtur sekrete.
Kjo është hera e parë që Kina organizon një paradë të tillë me rastin e krijimit të ushtrisë.