Koreja e Veriut ka njoftuar se është goditur nga thatësia më e madhe në 100 vitet e fundit, ku prej muajit janar e deri më tani ka rënë vetëm 56,3 milimetra shi, që cilësohet si niveli më i ulët që nga viti 1917.
Meteorologët kanë njoftuar se thatësira ka lënë gjurmë të mëdha, ku patatja, fasulja misri e shumë produkte tjera janë duke munguar, transmeton Telegrafi.
Në këtë raport nuk specifikohet se cila pjesë e Koresë së Veriut është goditur më së shumti nga kjo thatësirë, e sipas meteorologëve parashihet që deri në fund të muajit të bie vetëm dy herë shi, që është e pamjaftueshme.
Në fillim të këtij muaji, zyrtarët e Organizatës Botërore të Ushqimit (WFP), kanë porositur se prodhimi i ushqimit ka rënë në Korenë e Veriut në nivelin më të ulët në dhjetë vitet e fundit.
Kjo organizatë ka analizuar përqindjet e ushqimit nga 29 marsi e deri më 12 prill dhe atë me kërkesë të Koresë së Veriut. Ata kanë pasur qasje në koperativa bujqësore, ferma, kopshte dhe qendrat për shpërndarjen e ushqimit.
E për shkak të thatësirës dhe mungesës së ushqimit, afro 10 milionë njerëz mund të ballafaqohen me urinë nëse nuk marrin ndonjë ndihmë nga organizatat ndërkombëtare. Në disa pjesë të vendit afro 43 për qind e qytetarëve vuajnë nga kequshqyerja, e një nga pesë fëmijët u mungon ushqimi adekuat.
Koreja e Veriut në krye me liderin e saj Kim Jong-un, tashmë ka zvogëluar sasinë e ushqimi të cilin qytetarët mund ta konsumojnë në ditë – bëhet fjalë për vetëm 300 gramë, që është sasia më e vogël në histori të këtij vendi. /Telegrafi/