LAJMI I FUNDIT:

Këtë vit 80 milionë euro nga letrat me vlerë

Këtë vit 80 milionë euro nga letrat me vlerë

Qeveria e Kosovës sivjet për të dytin vit radhazi planifikon të arkëtojë mjete për buxhetin e Kosovës përmes emetimit të letrave me vlerë. Qeveria sivjet planifikon të arkëtojë 80 milionë euro nga emetimi i letrave me vlerë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Menderes Ibra, thotë se këto mjete nuk do të dedikohen për ndonjë projekt në veçanti, por do të derdhen në buxhetin e Kosovës. Ibra sqaron se borxhi publik i Kosovës edhe sivjet pritet të jetë i ultë, apo rreth 8.5 të bruto prodhimit vendor.

Për dallim nga viti i kaluar kur letrat e emetuara kishin afat maturimi apo kthimi prej 3 dhe 6 muajsh, sivjet ato do të kenë afat më të gjatë, 6 muaj, respektivisht një vit. Kështu thotë për Radio Kosovën zëdhënësi i ministrisë së financave, Menderes Ibra. “Në vitin 2013, bazuar edhe në ligjin e buxhetit të vitit 2013, planifikimi i arkëtimit të të hyrave nga emetimi i letrave me vlerë të qeverisë arrin prej 80 milionë euro”, tha ai.


Gjatë vitit të kaluar, sipas tij, interesimi i bankave ka qenë i theksuar, prandaj edhe norma e interesit ka shkuar duke rënë. “Kjo tregon për stabilitetin e sistemit financiar në vend dhe po ashtu tregon atë objektivin kryesor të qeverisë, të Ministrisë së Financave, kur është filluar me këtë projekt, që krahas të gjitha objektivave tjera, ne të krijojmë tregun e brendshëm të letrave me vlerë”, tha Ibra, raporton Radio Kosova.

Mjetet që merren nga emetimi i letrave me vlerë nuk janë të dedikuara për ndonjë projekt në veçanti, por do të derdhen në buxhetin e shtetit, dhe në përputhje me ligjin e buxhetit, do t’u ndahen organizatave buxhetore.

Ndërkohë, borxhi publik në total arrin në rreth 410 milionë euro, apo rreth 8.5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. “Ne konsiderojmë që edhe këtë vit vendi do të ketë një nivel tejet të ultë të borxhit publik në raport me Bruto-Produktin vendor dhe krahasuar me vendet tjera, gjë që tregon për nivelin stabil të financave publike të vendit”, thekson Ibra.

Ndryshe, vitin e kaluar qeveria përmes letrave me vlerë, kishte arkëtuar 74 milionë euro. Gjatë janarit ka mbajtur ankandin e parë, ku ka përfituar 10 milionë euro, që do të dedikohen për rifinancimin e ankandeve të mëhershme. Kurse brenda dy javësh pritet të publikohet edhe kalendari i ankandeve. /Telegrafi/