Kosova tashmë e ka kaluar barrierën më të madhe drejt anëtarësimit në UEFA, përkatësisht një nen të statutit të kësaj organizate, i cili deri më tani ia pamundësonte Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) inkuadrimin në familjen evropiane të futbollit, pasi shteti ynë ende nuk është anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), shkruan sot gazeta "Zëri".
Ishte Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ai i cili e tejkaloi këtë pengesë, pasi kërkesën e Kosovës e dërgoi direkt për votim në Kongresin e kësaj organizate.
Pra, për anëtarësimin e Kosovës në UEFA do të votohet në Kongres, diku mes marsit dhe qershorit të vitit të ardhshëm.
Nga kjo del se sigurimi i votave në favor të Kosovës është sfida e fundit e vendit tonë drejt anëtarësimit në UEFA, gjë që i hap rrugë FFK-së të bëhet pastaj shpejt anëtare edhe e FIFA-s.
Udhëheqësit e futbollit kosovar kanë paralajmëruar se tash e tutje do të hidhen në një aksion lobues, për t’i siguruar dy të tretat e votave të Kongresit, përkatësisht rreth 36 vota, prej 54 vendeve anëtare të UEFA-s, në mesin e të cilave ka edhe shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. FFK-ja beson se për t’u bërë anëtare e UEFA-s i mjaftojnë votat e vendeve që tashmë e kanë njohur Kosovën.
Drejtuesit e futbollit kosovar pritet të kontaktojnë apo edhe t’i vizitojnë Federatat e shteteve mike të Kosovës, prej të cilave do të kërkojnë që të votojnë pro anëtarësimit të shtetit 7-vjeçar në UEFA.
Mirëpo, në këtë proces FFK-ja konsideron se i nevojitet edhe ndihma e institucioneve më të larta shtetërore, posaçërisht lobimi dhe ndikimi i Qeverisë në Qeveritë e shteteve tjera evropiane, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Në këtë dikaster qeveritar, të cilit i prin ish-kryeministri, Hashim Thaçi, i kanë thënë gazetës “Zëri” se janë plotësisht të gatshëm të punojnë maksimalisht në këtë drejtim, pasi sipas tyre, anëtarësimi i Kosovës në UEFA është një e arritur shumë e madhe jo vetëm për futbollin apo sportin kosovar, por për shtetin në përgjithësi.
“Ministria e Punëve të Jashtme është e përfshirë dhe duke lobuar intensivisht për anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA. Duhet pasur parasysh se votat në UEFA janë të Federatave të pavarura nga politika. Por, Ministria e Punëve të Jashtme në të gjitha takimet argumenton fuqishëm dhe bindshëm, me argumente shumë të qëndrueshme, pse Kosova e meriton që të pranohet në UEFA dhe FIFA”, ka thënë për “Zërin” Ardian Arifaj, këshilltar i lartë i zëvendëskryeministrit Thaçi.
Në anën tjetër, zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, e ka paralajmëruar përpilimin e një strategjie në kërkim të votave. “Jemi në kontakt me FFK-në dhe jemi duke planifikuar për strategjinë e lobimit. Së shpejti do ta përgatisim strategjinë e përbashkët të veprimit me FFK-në”, tha Selimi për “Zërin”. Ndërkohë, edhe Ministria e Sportit, që udhëhiqet nga Kujtim Shala, i cili është zëvendës i kryeministrit Isa Mustafa, i ka premtuar ndihmë institucionale FFK-së në fazën finale të anëtarësimit në UEFA.
Kosova dhe Botërori
Anëtarësimi në UEFA i hap rrugë Kosovës drejt pjesëmarrjes në eliminatoret e Botërorit 2018. Edhe pse shorti është tërhequr, ekipet janë ndarë në grupe dhe orari është caktuar, zyrtarë të lartë të UEFA-s dhe FIFA-s e kanë siguruar Kosovës se do t’i mundësohet pjesëmarrja, pasi një gjë të tillë nuk e pengojnë as ligjet e dy organizatave. /zëri/