0Shares

Dr.Ledio Bregu

Mjek Onkolog/Radioterapeut

Drejtor i Qendrës së Radioterapisë Onkologjike

Spitali Hygeia Tiranë :  +355 4 23 90 000/ +386 49 102 008 (Hygeia Kosovë)

Pavarësisht përparimeve që janë bërë në mjekësi, kanceri vazhdon të prekë njerëzit në të gjithë botën, dhe, numri i rasteve rritet dita ditës me hapa gjigante, duke e kthyer atë në një nga problemet më të mëdha në aspekt global të shoqërisë civile. Bazuar në shifrat e regjistruara nga Organizata Botërore e Shëndetit, një në tre persona do të preket nga kanceri një herë në jetën e tij/saj. Pra, kanceri mund të ndodhë të prekë dikë në çdo moshë, dhe mund të prekë edhe secilin prej nesh.

Po cilat janë shkaqet kryesore në përhapjen e kancerit në ditët e sotme?

Arsyet të cilat ndikojnë në rritjen e rasteve me kancer në dekadat e fundit janë disa. Së pari është mënyra e jetës perëndimore e cila nuk është shumë e shëndetshme, sidomos për sa i përket dietës, aktivitet të ulët fizik, dhe ekspozimit rastësor por në të njëjtën kohë intensiv ndaj rrezeve të diellit. Së treti, disa infeksione – veçanërisht infeksionet virale – janë predispozuese për disa forma të ndryshme kanceri. Këto infeksione përfshijnë  hepatitin, HPV-në, mononukleozën dhe virusin HIV ( i cili shkakton AIDS).

Në ditët e sotme mjekët mundohen të ndërgjegjësojnë popullatën mbi faktorët e rrezikut që ҫojnë në shfaqjen e kancerit, por cilët janë këto faktorë rreziku dhe ҫfarë duhet të bëjmë për të jetuar shëndetshëm?

Kanceri ose  tumori malinj është një term që përfshin një grup sëmundjesh që kanë në thelbin e tyre rritjen e pakontrolluar të qelizave të cilat kanë potencial të shtrihen apo të përhapen në pjesë të tjera të trupit. Kanceri ndryshon nga tumorët beninj sepse këto të fundit nuk përhapen në pjesë të tjera të trupit.

Faktorët që ndikojnë në zhvillimin e kancerit janë të ndryshëm, duke filluar nga faktorë ambientalë  deri te mënyra e jetesës. Si të tillë mund të përmendim:

Duhanpirja

Ekspozimi ndaj lëndëve kimike specifike,

Infeksionet nga  viruse (onkoviruse) si hepatiti B, hepatitis C, HPV, Epstein-barr virus, etj

Ekspozimi ndaj rrezatimeve jonizuese

Ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve të diellit

Dietë e varfër ushqimore

Obeziteti

Përdorimi i tepërt i alkoolit

Mungesa e aktivitetit fizik

Trashëgimia (histori familjare me kancer)

Përdorimi i hormoneve

Sëmundje të ndryshme autoimune ..etj

Faktorët e lartpërmendur ndikojnë  pjesërisht duke sjellë ndryshime të pjesshme në genet qelizore, por detyrimisht duhen ndryshime gjenetike të shumta që të sjellin zhvillimin e kancerit.

Studimet tregojnë që një pjesë e madhe e kancerave vijnë si pasojë e faktorëve që janë të evitueshëm, pra që varen nga ne dhe kemi mundësi ti parandalojmë. Kjo realizohet duke filluar me  modifikimin e stilit (mënyrës)  tonë të jetesës por shumë e rëndsishme është edhe kryerja e kontrolleve të rregullta mjekësore, duke krijuar kështu  premisat e të jetuarit shëndetshëm dhe në mënyrë cilësore.

Faktorë të modifikueshëm janë:

Mospirja e duhanit

Konsumimi i ushqimeve të freskëta dhe të shumëllojshme

Ulja e konsumit të alkolit

Mbajtja  e një peshe ideale me ndihmën e  një diete të ekulibruar dhe ushtrimit të aktivitetit fizik

Aplikimi i masave mbrojtëse  ndaj  sëmundjeve seksualisht të transmetueshme

Përdorimi i  mjekimeve specifike dhe vitaminave në persona të riskuar nga tipe specifike të kancerit

Vaksinimi për infeksione specifike (psh HPV)

Zhvillimi i kancerit në vende të ndryshme të botës ka të përbashkëta por edhe ndryshime, kjo në varësi të faktorëve të ndryshem ambiental apo grupeve etnike të ndryshme. Gjithësesi ndër  tipet më të shpeshta të  kancerit  në rang botëror  janë : kanceri i gjirit, mushkrisë, prostatës,qafës së mitrës,  kolorektalit (zorrës së trashë), fshikëzës së urinës, endometrit, pankreasit, stomakut etj.

Cilat janë disa nga simptomat e përgjithshme (shenjat e hershme) të kancerit që gjithësecili nga ne nuk duhet t’i injorojë?

Simptomat apo shenjat e kancerit varen nga lloji i kancerit dhe vendit ku ndodhet. Këto simptoma janë më të dukshme në momentin që kanceri është rritur apo përhapur në trup, megjithatë, është e mundur që të ketë një fazë të hershme të kancerit pa shenja ose simptoma.

Gjithsesi simptomat e para dhe më të zakonshme të kancerit në përgjithësi janë ethet, lodhja dhe humbja e oreksit dhe të gjitha ndodhin për shkak se kanceri përdor shumicën e energjisë së trupit duke ndikuar në këtë mënyrë në sistemin imun të pacientit/es. Faktori vendimtar dhe më i rëndësishëm në trajtimin e suksesshëm të kancerit është diagnoza e hershme dhe kjo është edhe arsyeja pse identifikimi i simptomave të para është mjaft i rëndësishëm dhe deciziv. Për fat të keq, shumica e njerëzve injorojnë shenjat e para të kancerit, nganjëherë sepse nuk i njohin ato, nganjëherë për shkak se ata kanë shumë frikë apo edhe sepse nuk kanë mundësi të marrin kujdes mjekësor.

10 shenja të hershme paralajmëruese të Kancerit të cilat nuk duhet t’i injoroni:

Rënie e pashpjegueshme në peshë dhe humbje e oreksit

Marrje fryme ose kollitje në mënyrë të vazhdueshme

Infeksione të shpeshta dhe temperaturë mbi normalen

Plagë që nuk shërohen

Enjtje(në formën e gjendrave limfatike) në trup

Ndryshime në zakonet e jashtëqitjes ose të urinimit

Gjakrrjedhje të pazakonta

Vështirësi në përtypje ose në tretje

Ndryshim i dukshëm në pamjen e një nishani ose plage në gojë

Dhimbje koke e vazhdueshme, lodhje, të përzjera ose të vjella

Nëse vëreni apo ankoni një ose disa prej këtyre simptomave duhet mënjëherë të drejtoheni për konsultë të menjëhershme te mjeku specialist i fushës.

Cilat janë alternativat e trajtimit të Kancerit?

Për trajtimin e kancerit ekzistojnë tre shtylla  trajtimi që janë:  kirurgjia, radioterapia dhe kimioterapia. Me zhvillimin e mjekësisë filluan të aplikohen edhe metoda të tjera të cilat po i përmbledhim më poshtë:

Kirurgjia është proҫedura me anë të së cilës mjeku kirurg realizon heqjen e masës tumorale nga trupi i pacientit.

Radioterapia është përdorimi i rrezatimit jonizues me doza të larta për të vrarë qelizat kanceroze.

Kimioterapia është trajtimi që përdor terapinë me medikamente për të vrarë qelizat kanceroze.

Imunoterapia është terapia që ndihmon sistemin imun të luftojë kancerin.

Target terapia është një trajtim që shënjestron ndryshimet e qelizës kanceroze që ҫojnë në rritjen, shumimin dhe përhapjen  e këtyre qelizave.

Hormonoterapia është një trajtim që ngadalëson ose stopon rritjen e kancerit dhe përdoret kryesisht në kancerin e gjirit dhe atij të prostatës.

Transplanti i palcës kockore realizohet pas dozave të larta të kimioterapisë edhe radioterapisë të cilat zerojnë palcën kockore të pacientit e cila është përgjegjëse për formimin e elementëve të gjakut (rruazat e kuqe, të bardha, trombocite).

Mjekimi preҫiz i kancerit është një përqasje në trajtimin e kancerit që lejon mjekët të japin medikamente në bazë të ndryshimeve gjenetike që shfaq një kancer specifik.

Të gjitha këto trajtime bashkëkohore kundër  kancerit  ofrohen në Spitalin Hygeia Tiranë nga një ekip mjekësh profesionistë shqiptarë dhe grekë, ndër më  të kualifikuarit  në vend. Qendra e Onkologjisë Hygeia disponon aparaturat dhe teknologjinë më të avancuar mjekësore duke ofruar % të larta suksesi dhe rezultate optimale në luftën kundër kancerit.

Cilat janë disa nga ekzaminimet parandaluese që duhet të kryejnë persona të moshave të ndryshme?

Ҫdo person i cili është i ekspozuar së tepërmi në diell, kjo për arsye të ndryshme, por kjo vlen veçanërisht për fëmijët të cilët kanë edhe lëkurë më delikate, këshillohet të kryhet një herë në vit ekzaminimi i quajtur harta e nishanëve, ekzaminim i cili këshillohet të kryhet në stinën e vjeshtës nga mjekët dermatologë.  Në vijim të sa më lart është gjithashtu e këshillueshme për të gjithë, por veçanërisht për fëmijët, të evitohet ekspozimi në diell midis orëve  11 të paradites dhe 16 të pasdites, dhe gjithmonë nuk duhet të harroni të aplikoni krem mbrojtës kundra diellit përpara se të dilni në diell.

Ekzaminimet depistuese janë shumë të rëndësishme sepse na sigurojnë një diagnozë të hershme dhe si rrjedhim edhe një trajtim më efektiv dhe më pak toksik. Për të përmendur disa më kryesorët:

Kryerja e rregullt e PAP test-it, nëse jeni seksualisht aktiv. Ky rekomandim mund të ndryshojë për ato gra të cilat kanë kryer vaksinën HPV, por gjithmonë është mirë që të konsultoheni me një mjek specialist

Kryerja e mamografisë duke filluar në moshën mbi 40 vjeç.

Kryerja e kolonoskopisë së parë pas moshës 50 vjeç.

Kryerja e ekzaminimit të PSA-së pas moshës 50 vjeçare. Kjo për faktin se  diagnostikimi i hershëm i kancerit të prostatës jep mundësinë e një trajtimi më pak invaziv krahasuar me rastet e diagnostikimit në stadet e avancuara.

Pra në mbështetje të sa më sipër nënvizojmë edhe një herë faktin që për të gjithë  është shumë e rëndësishme që të jetojmë shëndetshëm dhe kjo arrihet duke modifikuar mënyrën tonë të jetesës (dieta të pasura dhe aktivitet i rregullt fizik) dhe ndërkohë të mos anashkalojmë asnjëherë kontrollet e rregullta mjekësore sepse Diagnostikimi i hershëm shpëton  Jetë.

Për tu njohur me ekipin multidisiplinar të mjekëve onkologë, radioterapeutë, kimioterapeutë dhe kirurgë të Spitalit Hygeia Tiranë si dhe me dëshminë e pacientes nga Kosova  e prekur nga kanceri i gjirit dhe trajtuar me sukses nga mjekët e Qendrës së Onkologjisë Hygeia, ndiqni videon më poshtë:

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)