Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurve B.T., A.T. dhe A.S., për shkak të dyshimit se janë përfshirë në veprat penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ dhe ‘’Lëndimi i rëndë trupor’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Sipas kërkesës, më 22 Shkurt 2021, në Gjilan, të pandehurit B.T., A.T. dhe A.S., i kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore të dëmtuarit F.G., në atë mënyrë që fillimisht i pandehuri A.S., pas një diskutimi verbal me të dëmtuarin rreth një prone, afrohet i pandehuri B.T., i cili e largon të dëmtuarin duke e kapur për krahu, e godet me grushte në fytyrë dhe e rrëzon në tokë, me ç’rast ndërhyjnë edhe dy të pandehurit tjerë duke e sulmuar të njëjtin me grushte, të cilit i shkaktojnë lëndime të rënda trupore, për të cilat është detyruar të kërkonte tretman mjekësor.

Në këtë mënyrë dyshohet se të pandehurit kanë kryer veprën penale ‘’Lëndimi i rëndë trupor’’, të KPRK-së.

Ndërsa, i pandehuri B.T., dyshohet edhe për veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, pasi pa autorizim dhe leje përkatëse ka mbajtur një pistoletë, e cila iu është sekuestruar”, thuhet në njoftim.

Të njëjtit me aktvendim të prokurorit gjenden në ndalim 48 orësh. /Telegrafi/