Prokurorët turq kërkuan të martën dënime të ashpra me burg kundër 19 punëtorëve të gazetës Cumhuriyet, kritikues të ashpër të presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Gazetarët, në mesin e të cilëve disa ndodhen në burg që pesë muaj, akuzohen për mbështetje ose se i kanë takuar organizatave të ndryshme terroriste, sipas akuzës së prokurorisë në Stamboll.
Të akuzuarit, në mesin e të cilëve është edhe pronari i Cumhuriyet, Akin Atalay, kryeredaktori Murat Sabuncu, ish-kryeredaktori Can Dundar, si dhe gazetari hulumtues Ahmet Asik, mund të dënohen ndërmjet 7,5 deri 43 vjet burg.
Ata janë akuzuar se i takojnë dhe mbështesin Partinë Punëtore të Kurdistanit (PKK), lëvizjen e imamit Fethullah Gulen, i cili është akuzuar se qëndron mbrapa puçit të grusht-shtetit të 15 korrikut të vitit të kaluar.
Ndryshe, sipas Shoqërisë së gazetarëve turq, 170 gazeta janë mbyllur, 105 gazetarë janë arrestuar pas tentimit për grusht-shtetin e vitit të kaluar.