LAJMI I FUNDIT:

Kelmendi: Për të qenë të suksesshëm si afaristë duhet të keni ide origjinale

Kelmendi: Për të qenë të suksesshëm si afaristë duhet të keni ide origjinale

Në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në bashkëpunim me Kolegjin AAB organizuan eventin “SpeakerSeries” (cikël ligjëratash), ku para studentëve të Fakultetit Ekonomik do të flasin ndërmarrë të suksesshëm nga vendi, rajoni dhe më gjerë.

Në takimin e parë të këtij cikli, para studentëve të Fakultetit Ekonomik të Kolegjit AAB foli biznesmeni më i suksesshëm kosovar, Ramiz Kelmendi, nga kompania “Elkos Group”.

Ai foli për rrugëtimin e tij në biznes, themelimin dhe zhvillimin e kompanisë “Elkos Group”. Ai u ndal te sfidat nëpër të cilat ka kaluar, deri në zhvillimin e kompanisë së tij “ELKOS Group” në nivelin që është sot, po ashtu edhe për funksionimin si dhe planin biznesor për pesë vitet e ardhshme.

Kelmendi u sugjeroi studentëve që të kenë ide dhe projekte origjinale, sepse, sipas tij, në këtë mënyrë mund të jenë afaristë të suksesshëm në të ardhmen, duke potencuar se edhe teknologjia po ndikon në uljen e nevojave për fuqi punëtore, por që duhet të jenë në hap me kohën.

“Kosova ka rreth 320 mijë të punësuar që janë të regjistruar, por ka 1.1 milion të aftë për punë. 82 mijë që janë të punësuar në sektorin publik, mund t’i zëvendësojë dikush vetëm nëse dalin në pension. Shumica e institucioneve financiare po e zvogëlojnë stafin për arsye se po e integrojnë teknologjinë në funksion. Andaj ju duhet të jeni në hap me kohën dhe të keni ide tuajat”, vlerësoi Kelmendi.

A në këtë ligjëratë mori edhe disa shembuj se si disa nga ekonomitë, për shkak të trendit të kohës, nga shumë të suksesshme tani nuk ekzistojnë fare. Ai u dha edhe disa sugjerime studentëve se si mund të jenë të suksesshëm si afaristë të ardhshëm. /Telegrafi/