KEK-u premton dimër me rrymë

Zëdhënësi i KEK-ut Viktor Buzhala tha për Telegrafin se furnizimi është stabil me energji elektrike, ku sipas tij reduktimet aplikohen vetëm në orët e pikut. “Reduktime për kategorinë A dhe B nuk ka fare, kurse për kategorinë C ka reduktime vetëm në kohë piku”, tha ai.
Buzhaka ka thënë se janë duke u përgatitur fortë për dimër. Pasi blloku B 2 të kthehet nga remonti, ai thotë se do të prodhojë rrymë sikur të ishte i ri.
“Po përgatitemi për dimër që të jetë më mirë se dimri i kaluar. Blloku B2 i Termocentralit ‘Kosova B’ është në remont pikërisht për këtë punë ku pas kthimit në fund të nëntorit do t’i shtohen edhe kapacitetet prodhuese prej mbi 300 megavat orë energji elektrike”, thotë ai.
Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzha ka treguar se kontratat për import janë të lidhura , por që varen nga kërkesa dhe niveli i prodhimit në blloqet e KEK-ut. /Telegrafi/
















































