Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për 3 ushtarakët e arrestuar për kanabisin e mbjellë në repartin ushtarak 10-60 në Zall-Herr.
Gramoz Mullai, Rustem Koci dhe Gentjan Zhurda akuzohen për shpërdorim detyre.
Dy ditë më parë në kuadër të operacionit “FOKUS” policia e Tiranës asgjësoi 125 bimë kanabis të mbjella brenda territorit të repartit ushtarak në Zall Herr.
Menjëherë pas ngjarjes ka reaguar ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi që ka njoftuar pezullimin nga detyra për të gjithë personat përgjegjës në repartin ushtarak të Zall Herrit brenda në territorin e të cilit u gjetën 125 bimë kanabisi.
Euronews Albania ka mësuar se në repartin ushtarak të Zall Herrit, ku shërbejnë më shumë se 300 ushtarakë, bimët narkotike ishin të shpërndara në 6 parcela në zonën e pyllëzuar.
Ajo që ka befasuar më shumë policinë ka qenë fakti që bimët kanë qenë deri 2,7 metra të larta, që do të thotë se janë kultivuar prej të paktën prej 3 muajsh. /Telegrafi/