Site icon Telegrafi

Kabashi nga IKD: Deklaratat e zyrtarëve ndaj Prokurorisë Speciale nënkuptohen si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë

Flamur Kabashi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se ky institut në muajin dhjetor ka publikuar një raport rreth deklaratave të dhëna nga partia në pushtet dhe partitë tjera drejt Prokurorisë Speciale.

Sipas Kabashit këto konceptoheshin si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

“Kemi parë deklaratat e deputetëve në drejtim të Prokurorisë Speciale të Kosovës, deklarata të cilat sipas konventës evropiane për të drejtat e njeriut, janë deklarata që nënkuptohen si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, për shkak se pushtetet janë të ndara dhe pushteti gjyqësor duhet të funksionojë në mënyrë të pavarur e të pandikuar”, tha Kabashi, për RTV Dukagjini.

Sa i përket deklaratave që janë bërë nga deputetët, pas zhvillimit të hetimeve në çështjen e amabalazhuesve të ujit, Kabashi thotë që këto janë ndërhyrje në punën e Prokurorisë Speciale.

“Deklaratat që janë bërë pas zhvillimit të hetimeve që po bën Prokuroria Speciale në rastin e ambalzhuesve dhe deklaratat e tjera që janë dhënë nga zyrtarët e partisë në pushtet si rasti ndaj Nagip Krasniqit, janë deklarata që nuk duhet të jepen. Ato nënkuptohen si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë”, shtoi Kabashi.

E arsye e përceptimit si ndërhyrje në punën e Prokurorisë Speciale, Kabashi thotë se është për shkak të pozitës si zyrtarë, pasi sipas tij nuk janë deklarata të “qytetarëve të thjeshtë”. /Dukagjini/

Exit mobile version