Juliana shpreson në sukses

“Eurovisioni ka shumë punë dhe do të thotë shumë për mua. Duhet të jem shumë e përgatitur. Në radhë të parë, vërtet përfaqësoj Shqipërinë, por është Juli që do të dalë në skenë atje dhe nëse unë nuk do të dal mirë, kur të kthehem nga andej, do të jetë Juli që do të flitet për të dhe nuk do të jetë Shqipëria. Andaj, unë do të jem shumë e kujdesshme dhe shumë e përgatitur për të dhënë maksimumin tim atje”, ka thënë Juliana në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
“Nuk mundem pa ty” ishte titulli i këngës fituese në edicionin e sivjetmë të festivalit në RTSH (e kompozuar nga Ardit Gjebrea, që është edhe autor i tekstit, së bashku me Pirro Çakon, kurse orkestrimin e ka bërë Shpëtim Saraçi), ndërsa qëllimi i këngëtares është që së paku të arrijë në finale të Eurosong.
“Sigurisht, në dashtë Zoti, të dal sa më mirë, të paktën të jemi në finale, dhe më pas ashtu si ta ketë vendosur Zoti. Unë i besoj vetëm atij. Andaj, e kam lënë çdo gjë në dorën e tij”, shton Juli.
Festivali evropian i këngës- Eurosong 2010, do të zhvillohet në fund të muajit maj në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo. /Telegrafi/




























































