Site icon Telegrafi

Jo vetëm thirrjet ndaj Asensios, edhe për Vini Jr pati thirrje raciste

Ndeshja e mbrëmshme gjysmëfinale e Kupës së Mbretit mes Real Sociedad dhe Real Madrid (0:1) është dashur të ndërpritet për një kohë të shkurtër për shkak të sjelljes raciste të tifozëve ndaj lojtarëve mysafirë.

Incidenti ndodhi në momentet e fundit të pjesës së parë kur një tifoz u pa duke bërë lëvizje majmuni drejt anësorit Vinicius Junior.

Braziliani ka qenë edhe më parë shënjestër e sulmeve raciste gjatë karrierës së tij në Spanjë dhe ndeshja e mbrëmshme ishte veçanërisht e rëndësishme për të pasi mbajti për herë të parë shiritin e kapitenit për Realin.

Nga tribuna u dëgjuan edhe thirrjet “Asensio vdis”, drejtuar lojtarit Raul Asensio, ndaj gjyqtari spanjoll Jose Maria Sanchez Martinez aktivizoi protokollin kundër racizmit të La Ligës dhe e ndërpreu ndeshjen.

Zyrtarët e stadiumit më pas paralajmëruan tifozët se ndeshja do të ndërpritet apo edhe do të braktiset nëse thirrjet nuk ndalen.

Kujtojmë se një nga incidentet më të famshme lidhur me racizmin dhe Vinicius ka ndodhur gjatë një ndeshjeje jashtë fushe në stadiumin Mestalla të Valencias.

Ky rast rezultoi me arrestimin e tre tifozëve dhe dy vite më parë të njëjtin fat patën edhe tifozët e Atleticos pasi varën në një urë një kukull të veshur me fanellën e Vinicius me sloganin “Madridi e urren Realin”. /Telegrafi

Exit mobile version