Kështu u deklarua për “Zërin”, njëri nga përfaqësuesit e serbëve të veriut, Oliver Ivanovic, ish-sekretar për Kosovë në Qeverinë e kaluar serbe.

Gjatë një bisede për gazetën “Zëri”, e zhvilluar në zyrën e tij në veri të Mitrovicës, Ivanovic, i cili aktualisht është këshilltar në zyrën nacionale serbe për punësim që gjendet në veri të Mitrovicës, tha se serbët nuk iu besojnë institucioneve kosovare.


Thirrjet e Prishtinës për integrimin e veriut, sipas tij, serbët e veriut i marrin si kërcënim, si përpjekje për ndërhyrje me dhunë, ashtu siç ka ndodhur në verën e vitit të kaluar me 25 korrik, e cila e ka kthyer situatën edhe 10 vjet më pas.

“Është e kotë një përpjekje e tillë sepse nuk do të ndodhë. Serbët e veriut nuk do të pranojnë një gjë të tillë, edhe sikur Prishtina t’iu ofrojë një jetë më të mirë, për të cilën kanë shumë dëshirë, por ndjenja e frikës te ta është më e fortë se çdo dëshirë tjetër”, u shpreh Ivanovic.

Ai tha se veriu është dhe mbetet problem politik, i cili duhet të diskutohet në dialogun që po zhvillohet mes dy palëve në Bruksel.

“Autonomia për veriun, mendoj se do të ishte një zgjidhje që do të kënaqte serbët në veri. E kjo do të duhej të ishte e pranueshme edhe për shqiptarët, për shkak se me autonomi nuk do të ketë ndarje të Kosovës, ashtu siç po ia kanë frikën shumica e tyre”, tha Ivanovic, duke shtuar se shqiptarët duhet të jenë të vetëdijshëm se Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, të paktën jo, siç shprehet ai “gjatë këtij shekulli”.

Sipas tij, me autonomi veriut i mundësohet që ajo t’i ketë të definuar kufijtë e saj, të jetë i definuar si regjion në kuptimin politik e gjeografik.

“Definicioni që ne e shohim është ky: Veriu të jetë pjesë e Kosovës me një status të zgjidhur, ndërsa Kosova pjesë e Serbisë me një status të pazgjidhur”, u shpreh ndër tjerash Ivanovic.

Ndër tjerash ai thotë se është shenjë e mirë që takimet mes kryeministrit Thaçi dhe Ivica Dacicit, të paktën kanë krijuar një lëvizje, por prapë, sipas tij, duhet kohë e gjatë të kalojë që marrëdhëniet të rregullohen.

E në ndërkohë që marrëdhëniet mes shqiptarëve e serbëve të rregullohen, Ivanovic përmend modelin e Qipros, i cili, sipas tij, do t’i konvenonte edhe Kosovës edhe Serbisë.

“Sipas këtij modeli, i bie që Serbia bashkë me Kosovën të futet në BE, në ndërkohë Kosova nuk përmendet që ka hyrë në kuadër të Serbisë”, tha ai. Pra, sipas tij, janë çështje ku të dyja palët duhet të lëshojnë pe, përndryshe nëse nuk bashkëpunojnë të dyja edhe mund të humbin.

Ndryshe, sipas Ivanovic, në dialogun Kosovë-Serbi një prej temave që sa më parë duhet të diskutohet dhe e cila do të zbuste tensionet, është tema e të zhdukurve. /Telegrafi/