Islami: As kundër Ramës, as pro Berishës

Duke marrë fjalën në seancë, zoti Islami theksoi se nuk është në këtë seancë as kundër Ramës dhe as pro Berishës, por në të mirë të shqiptarëve dhe vendit që pret të ecë në rrugën e zhvillimit.
“Besoj se të gjithë kanë lexuar me vëmendje mesazhin e zyrtarit amerikan, një interviste ekselente për të përshkruar zgjedhjet. Mesazhi është reflektim i thellë nga gjithë palët, bashkëpunim në funksion të interesave dhe integrimit. Një gjë e tillë është shumë e rëndësishme dhe këtë kërkesë të parë për refkektim ia drejtoj grupit tim parlamentar, kreut të PS-së, Ramës, kryeministrit Berisha dhe ju, për të qenë sa më të kujdesshëm për të shmangur çdo lloj provokimi që mund të duket, dhe për të qenë të kujdesshëm me kalendarin deri sa të vendosë Kolegji Zgjedhor”, tha zoti Islami.
Deputeti socialist tha se në një situatë të tillë, duhet të hidhet një hap përpara po të kemi parasysh situatën dy vjeçare. Zoti Islami theksoi se me këto zgjedhje pritet të bëhet një hap i rëndësishëm për ta mbajtur vendin mbi shinat e një shteti ligjor. “Kjo është arsyeja ime madhore pse jam këtu, jam dakord me atë që ka thënë zyrtari amerikan, nuk jam as kundër Ramës dhe as pro Berishës”, nënvizoi ai, i cituar nga Panorama./Telegrafi/

































