Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ditë më parë ka pohuar se mund të vjen deri tek një korrigjim i lehtë i kufirit mes vendit tonë dhe Serbisë.
Pos kundërshtimeve të ashpra të kryeministrit, Ramush Haradinajt, ka reaguar edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Ky i fundit ka folur përmes rrjeteve sociale duke thënë se nuk duhet të bisedohet për kufijtë, për territorin dhe pavarësinë e shpallur para 11 vjetëve.
“Për LDK-në, kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm. Është i ndaluar dialogu për kufijtë, për territorin, për pavarësinë e shpallur më 17 shkurt 2008! Hapja e dialogut për kufijtë, është vetagresion ndaj shtetit dhe territorit të Kosovës”, ka shkruar Mustafa.
Ai më tutje ka thënë se “nëse dikujt i ka mbetur të bëjë pazare me korrigjimin e kufijve , ai mund të korrigjoj vetëm mexhat e arave të veta, jo kufijtë e Kosovës”.
Theksojmë se tash e sa kohë i pari i shtetit, Thaçi po kërkon që të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, ku definimi i kufijve, sipas tij, shteti serb do ta njoh vendin tonë.
Ndryshe, Serbia po këmbëngul që për vazhdimin e dialogut, Kosova duhet të anuloj taksën prej 100 për qind të vendosura muaj më parë ndaj mallrave serbe. /Telegrafi/