Antonio Conte i ka goditur përsëri ata që e akuzojnë se ai përdor taktika tërësisht  mbrojtëse te Interi, duke postuar një video dhe duke shkruar shkurt: ‘4-2-4’.

Trajneri italian që po ecën drejt titullit të kampionit është i irrituar gjithnjë e më shumë nga komentet e analistëve që ekipi i tij është i mërzitshëm, negativ dhe nuk luan futboll të bukur.

Interi janë 11 pikë para Milanit në krye të tabelës së Serie A, falë fitores së djeshme 2-1 ndaj Sassuolos, një fitore e arritur me vetëm 30 për qind të zotërimit të topit dhe atë në San Siro.

Sidoqoftë, Conte u kundërpërgjigj në Instagram, duke postuar një video të golit të parë të Romelu Lukaku.

Ai kishte një mesazh të thjeshtë: ‘4-2-4’.

Videoja tregon se Milan Skriniar lëviz lart djathtas nga mbrojtja origjinale me tre, Christian Eriksen qëndron në qendër dhe dy mbrojtësit e krahut vrapojnë përpara së bashku me dy sulmuesit. /Telegrafi/