LAJMI I FUNDIT:

Integrimi ekonomik i veriut nuk është i pamundur

Integrimi ekonomik i veriut nuk është i pamundur

Integrimi ekonomik i veriut të Kosovës, ndonëse duket i vështirë, nuk është i pamundur, thonë njohës të çështjeve ekonomike dhe afaristë në Prishtinë. Madje sipas tyre integrimi ekonomik mund të përshpejtojë integrimin politik të asaj pjese. Ndërkaq udhëheqësja e zyrës administrative në pjesën veriore të Mitrovicës thekson se janë duke e shqyrtuar mundësinë e krijimit të një strategjie zhvillimore të veriut.

Mungesa e administrimit nga autoritetet vendore, ka ndikuar që në veriun e Kosovës të akumulohen probleme të mëdha edhe në sferën ekonomike e sociale. Njohës të çështjeve ekonomike thonë se në aspektin ekonomik, ajo pjesë duhet të konsiderohet si të gjitha pjesët tjera të vendit.

Analisti i RIINVEST-it Alban Zogaj thotë se qeveria duhet ta shohë edhe atë zonë si tërësi territoriale të Kosovës, dhe të bëjë investime publike sikurse edhe në pjesë tjera, të cilat sipas tij, do t’i hapnin rrugë edhe investimeve private. “Ka pasur ide që të krijohen zona të posaçme ekonomike, të cilat do të krijonin një interes privat për të investuar atje, për të hapur kompani të vogla të cilat paguajnë taksa më të ulëta ose të cilat lirohen krejt prej taksave, prej TVSH-së, prej doganës, që normalisht krijojnë një stimulim për të investuar atje dhe nuk janë ide për t’u hedhur poshtë”, tha Zogaj, transmeton RTK.


Ai thotë se zona e veçantë ekonomike nuk do të thotë që duhet të jetë vetëm në pjesën e Mitrovicës së veriut, por ajo mund ta përfshijë edhe një pjesë të Mitrovicës jugore, madje deri në Vushtrri. Instituti RIINVEST ka bërë një hulumtim për identifikimin e bizneseve me pronarë serb. Zogaj thotë se në bazë të hulumtimit ekziston gatishmëri e këtyre bizneseve që të shesin produktet e tyre edhe në pjesën tjetër të Kosovës dhe kësisoj të krijohet komunikimi, dhe më pas integrimi i asaj pjese. “Nuk do të jetë e lehtë, absolutisht, por në anën tjetër nuk është e pamundshme. Unë shoh që interesi ekonomik i bashkon këto pjesë. Në anën tjetër duhet të theksoj se bashkimi ekonomik pastaj lehtëson edhe integrimin politik”, është shprehur ai.

Afaristi Ramiz Kelmendi që njihet si importuesi më i madh nga Serbia, thotë se barrikadat e kanë penguar qarkullimin e mallrave vendore në atë pjesë, ndonëse thekson se ka kërkesa për to. “Në bazë të analizës së shitjes nga pika jonë shitëse në Mitrovicë, kemi shumë kërkesa nga ajo pjesë për produkte që prodhohen në Kosovë, por vetëm për ato produkte që paraqitet leverdia ekonomike”, thekson Kelmendi.

Udhëheqësja e zyrës administrative në Mitrovicën Veriore, Adriana Hoxhiq, tha për Radio Kosovën se qeveria e Kosovës është e interesuar të përmirësojë situatën ekonomike në veri të Kosovës dhe në veri të Mitrovicës. Zyra që drejton ajo, si institucion i vetëm i qeverisë së Kosovës që ka komunikim të drejtpërdrejt me qytetarët e veriut, ka propozuar që të shqyrtohet në mënyrë serioze mundësia për krijimin e strategjisë për zhvillim ekonomik, pasi vlerësohet se kjo është vërtet e nevojshme për veriun, pasi aty ka shumë potencial të pashfrytëzuar. “Mendoj se kjo kërkesë e jona është duke u shqyrtuar në mënyrë serioze si në bashkësinë ndërkombëtare ashtu edhe në qeverinë e Kosovës. Unë besoj se ata shumë shpejtë, bashkë me implementimin e marrëveshjes do të prekin edhe çështjen e zhvillimit ekonomik dhe strategjisë, sepse vërtet standardi i jetesës është gjëja e vetme që mund t’i mbajë njerëzit të qëndrojnë aty, të jenë të kënaqur dhe të jenë kreativ”, ka thënë Hoxhiq.

Hoxhiq theksoi se në atë pjesë janë duke realizuar disa projekte infrastrukturore, por nuk dha shumë hollësi rreth tyre. Njëkohësisht theksoi se po shqyrtohen të gjitha kërkesat e qytetarëve për projekte, që pritet të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre. /Telegrafi/