LAJMI I FUNDIT:

Institucionet s’kanë informata se Serbia ka bllokuar mallrat evropiane me destinacion Kosovën

Institucionet s’kanë informata se Serbia ka bllokuar mallrat evropiane me destinacion Kosovën

Gjatë ditës së sotme në media janë bërë raportime se Serbia ka marrë vendim që t’u ndalojë qarkullimin në rrugët e saj mallrave evropiane që kanë për destinacion Kosovën.

Institucionet kosovare nuk kanë pranuar zyrtarisht informatë për këtë veprim të palës serbe.


Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës, ka thënë për KosovaPress se nuk kanë informatë për këtë gjë, duke shtuar se fluksi nga Serbia ka qenë shumë i ulët.

Tutje Stavileci ka kujtuar se mallrat nga Evropa për në Kosovë kanë shumë rrugë të tjera për qarkullim, përveç Serbisë.

As në kabinetin e Qeverisë së Ramush Haradinajt nuk kanë pranuar këtë informatë.

Kështu ka thënë përmes telefonit për KosovaPress Avni Arifi, këshilltar i kryeministrit.

Sipas Arifit, nëse Serbia ka ndërmarrë këtë veprim, atëherë vetëm se do të shtonte tensionet e krijuara së fundi me rritjen e taksës në 100% nga Qeveria Haradinaj për mallrat serbe.