LAJMI I FUNDIT:

I shpëtuan 1.5 milion euro

I shpëtuan 1.5 milion euro

Pretendon se buxhetit të shtetit ia shpëtuan mbi 1.5 milion euro vitin e kaluar. Hysni Hoxha, kryetar i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP), ka bërë të ditur për gazetën “Tribuna” se kaq para u kursyen vetëm se i kthyen në rivlerësim 102 tenderë në vitin 2012.

“Po flas vetëm për tenderët që i kemi kthyer në rivlerësim, nuk po flas për ata të cilat i kemi kthyer në ritenderim. Zakonisht ankesat kur kthehen në rivlerësim, kanë të bëjnë sidomos për dhënie të kontratës kompanive që nuk kanë ofruar çmimin më të ulët dhe nga kjo kemi shpëtuar rreth 1.5 milion euro”, është shprehur Hoxha.
Ai ka njoftuar se gjatë vitit 2012 OSHP ka pranuar gjithsejtë 331 ankesa nga operatorët ekonomikë, të cilët kanë kundërshtuar vendimet e Autoriteteve Kontraktuese për dhënien e kontratës.

“Paneli shqyrtues ka marrë vendim për rivlerësimin e ofertave në 102 raste duke konstatuar se është bërë vlerësimi i gabuar i ofertave nga komisioni vlerësues, duke hasur në shkeljet e caktuara të LPP-së dhe rregullave të prokurimit publik, ndërkaq janë anuluar 55 tenderë tjerë”. Njëmbëdhjetë ankesa, sipas tij, janë hedhur poshtë për shkak të moskompletimit të ankesës brenda afatit të paraparë. /Telegrafi