Site icon Telegrafi

Hyseni raportoi me dyer të mbyllura për zbatimin e obligimeve që dalin nga MSA-ja

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni ka raportuar sot në Komisionin Parlamentar për Stabilizim-Asociim.

Sikurse edhe ministrat tjerë, edhe Hyseni ka raportuar me dyer të mbyllura në këtë komision.

Pas raportimit, ministri i MPB-së tha se është folur për progresin që MPB-ja ka bërë në zbatimin e masave për zbatimin e MSA–së nga fushëveprimi i saj.

“Ishte konstatim i përbashkët që është bërë progres në këtë fushë nga MPB,  por në të njëjtën kohë konstatuam që ka edhe masa të pazbatuara që sërish në masën më të madhe lidhen me veprime ndër sektoriale ose kushtëzohen nga progresi në fushën e legjislacionit. Ishte një bashkëbisedim i mirë i asaj se ku gjendemi në fushën e zbatimit të masave që dalin nga MSA-ja e që bien në fushën e Ministrisë së Brendshme”, tha Hyseni.

Duke folur para anëtarëve të Komisionit, ministri Hyseni njoftoi se detyrimet nga MSA-ja për këtë ministri burojnë nga kapitulli i 24 i marrëveshjes dhe përmban 97 masa, ndër të cilat janë përmbushur 79 prej tyre.

Shprehur në përqindje, kjo ministri, tha ai, ka përmbushur 81% të detyrimeve të MSA-së.

Masat e pazbatuara (18 sosh), njoftoi më tej ministri, janë ndërveprime institucionale dhe i përkasin fushës së drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, ndërkaq, u shpreh i bindur se bazuar në dinamikën e punës, gjatë vitit në vijim do të përmbushen edhe ato. /Telegrafi/

Foto: Arkiv

Exit mobile version