Site icon Telegrafi

Hyseni lavdëron policinë, kritikon gjykatat

Në konferencën përmbyllëse për vitin 2016 për Ministrinë e Punëve të Brendshme, ministri Skender Hyseni bëri të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës kanë qenë shumë të suksesshme në luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, por që trajtimi nga prokurorët dhe gjykatat më vonë, sipas Hysenit, lë shumë për të dëshiruar.

Sipas Hysenit, ndëshkimet kanë qenë shumë të parëndësishme, për të mos thënë qesharake.

“Është bërë punë e madhe në adresimin e problemit të trafikimit me qenie njerëzore dhe droga dhe unë i përgëzoj të gjithë ata që gjatë vitit që po e lëmë pas kanë shënuar rezultate. Sidoqoftë e ndjej për obligim që edhe këtu edhe njëherë të them që, përderisa Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme ka qenë shumë e suksesshme në luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, me keqardhje e them që trajtimi i rasteve kriminale nga prokuroritë dhe gjykatat më vonë lë shumë për të dëshiruar. Shpesh herë kemi parë ndëshkime krejtësisht të parëndësishme që të mos them qesharake dhe kjo ka bërë që Kosova të renditet sërish në një vend jo shumë të lakmuar në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin që po e lëmë pas”, tha Hyseni.

Ministri Hyseni tha se policia e Kosovës gjatë vitit që po e lëmë pas ka zhvilluar mbi 900 operacione të ndryshme, që të gjitha të suksesshme.

“Policia e Kosovës gjatë vitit që po e lëmë pas ka zhvilluar mbi 900 operacione të ndryshme, disa nga ato operacione shumë komplekse, por absolutisht të suksesshme. Ka goditur mbi 38 grupe kriminale duke arrestuar 1,246 persona dhe ka ushtruar 1,154 kallëzime penale”, tha ai.

Po ashtu, Hyseni, tha se Inspektorati Policor i Kosovës gjatë vitit ka bërë një punë të shkëlqyer dhe ka dëshmuar që është Polici e vërtetë.

“Punë të shkëlqyeshme gjatë vitit që po e lëmë pas ka bërë inspektorati policor i Kosovës dhe unë me krejt pak fjalë e përgëzoj inspektoratin për të gjitha veprimet që ka bërë për të dëshmuar që është polici e policisë. Policia e Kosovës është Policia më profesionale në Ballkanin Perëndimor, është Policia më e trajnuar dhe Policia më e mirë dhe po e përsërisë që nuk do të lejojmë që ndonjë individ aty këtu me veprime personale individuale të dëmtoj imazhin e shkëlqyer që në botë ekziston për Policinë e Kosovës”, tha Hyseni, transmeton KP.

Ministri tha se kanë qenë 238 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, subjekt i hetimit nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe një numër i tyre tashmë janë dërguar për trajtim të mëtejmë në Prokurori.

Ndërsa, në fushën e terrorizimit Hyseni tha se Policia e Kosovës ka trajtuar 47 raste, janë arrestuar 33 persona dhe janë ngritur 30 kallëzime penale.

“Në fushën e terrorizmit Policia e Kosovës ka trajtuar 47 raste, tashmë janë arrestuar 33 persona dhe janë ngritur 30 kallëzime penale ndaj 78 individëve, do të thotë po flasim për raste që përfshijnë më shumë individ, më shumë se një individ. Dhe po ashtu Policia ka realizuar nëntë operacione dhe 32 bastisje”, tha ai.

Kjo konferencë e organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme është e fundit për këtë vit, ku u prezantuan të arriturat dhe ngecjet e kësaj Ministrie. /Telegrafi/

Exit mobile version