LAJMI I FUNDIT:

Hysenaj: Administrata Tatimore mblodhi 78 milionë euro më pak gjatë vitit 2020

Hysenaj: Administrata Tatimore mblodhi 78 milionë euro më pak gjatë vitit 2020

Administrata Tatimore e Kosovës ka mbledhur 78 milionë euro apo 14 për qind më pak të hyra gjatë vitit 2020.

Kështu ka deklaruar ushtruesi i detyrës së drejtorit të ATK-së, Ekrem Hysenaj gjatë një konference për media, ku prezantoi aktivitetet e zhvilluara dhe rezultatet e arritura gjatë vitit të kaluar.

“2020-ta ka qenë një vit sfidues për shkak të pandemisë COVID-19 dhe si rezultat është ndikuar edhe Administrata Tatimore. Të hyrat për periudhën janar-dhjetor 2020, janë zvogëluar, ku me planin e rishikuar kanë qenë 491 milionë euro, kurse realizimi ka qenë 467 milionë euro. Pjesëmarrje më të madhe, sipas tatimeve ka Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Pra, kemi 78 milionë euro apo 14 për qind më pak të hyra”, tha Hysenaj.

Ai ka thënë se gjatë periudhës se kur ka filluar pandemia, deri në muajin nëntor 2020, ka pasur një rënie të qarkullimit mbi 1 miliard euro.

“Për periudhën janar-nëntor kemi një rënie të qarkullimit të bizneseve prej 1.2 miliard euro. Inkasimi i borxheve në vitin 2019 ka qenë 103.4 milionë, ndërsa në vitin 2020, 94 milionë euro”, tha ai.

Sipas Hysenajt, argëtimi është sektori që ka pësuar rënie gjatë vitit të kaluar.

“Në vitin që lamë pas sektorët më të prekur nga pandemia COVID-19 ishin, ai i argëtimit dhe rekreacionit me një rënie prej 66 për qind, sektori i patundshmërisë me 27.9 për qind, sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor me një rënie prej 37.9 për qind”, përfundoi Hysenaj. /Telegrafi/