Ish-ministrja Hykmete Bajrami ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i Ministrisë së Financave.
Bajrami me anë të një shkrimi në Facebook, ka thënë se aktivitetin e saj politik do ta vazhdoj si deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Më lejoni t’ju njoftoj se sot, me 24 shkurt 2021, me kërkesën time, jam liruar nga pozita e Ministres së Financave në detyrë. Aktivitetin tim politik do ta vazhdoj si deputete e LDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sapo të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve”, njofton Bajrami, përcjell Telegrafi.
Ajo ka përmendur edhe disa nga të arriturat që sipas saj i kanë kontribuar menaxhimit të pandemisë.
“Gjatë kësaj periudhe si udhëheqëse e Ministrisë së Financave, kam bashkëpunuar ngushtë me stafin e MF-së. Së bashku kemi kaluar nëpër mjaft sfida e zhvillime të rëndësishme në përpjekje për t’u përballur me pasojat e pandemisë. MF gjatë kësaj kohe ka pasur dhe ende e ka barrën kryesore institucionale për çështjet që ndërlidhjen me menaxhimin e efekteve ekonomike të pandemisë. Konsideroj se përkundër vështirësive buxhetore të krijuara si rezultat i pandemisë, ne kemi arritur ta bëjmë më të mirën e mundshme. Reagimi i duhur dhe me masa konkrete evidentohet edhe nga institucionet ndërkombëtare financiare”, shkruan ajo.
Bajrami ishte emëruar ministre e Financave në Qeverinë Hoti, pasi ajo ka qenë ministre e Arsimit në Qeverinë Kurti.
Gjatë kohës kur Bajrami ishte ministre e Financave kishte ndodhur vjedhja e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit. /Telegrafi/