Site icon Telegrafi

Hungaria përkrah liberalizimin e vizave për Kosovën

Ministrja për Integrim Evropian, Dhurata Hoxha, u prit në takim në Budapest nga ministri i Punëve të Brendshme të Hungarisë, Sandor Pinter dhe me këtë rast theksoi rëndësinë e liberalizimit të vizave dhe plotësimin e kritereve nga ana e Kosovës për liberalizim.

Ministrja Hoxha e njohu nga afër me të arriturat dhe sfidat e procesit integrues, Pinter, në veçanti rreth plotësimit të kritereve për liberalizimin e vizave dhe njëherësh kërkoi mbështetje nga ai për këtë proces në mbledhjen e Këshillit të ministrave.

“Lëvizja e lirë, do të shënonte një moment tepër të rëndësishëm për qytetarët tanë”, tha Hoxha, duke vënë në pah uljen e jashtëzakonshme të migrimit ilegal në vitet e fundit, fushatën e suksesshme të informimin rreth rregullave për lëvizjen e lirë në shtetet e Shëngenit, si dhe anketave kredibile rreth përqindjes së ultë të të rinjve për migrim, janë faktor që do të ndikonin në vendimmarrje, nga ministrat gjegjës në Këshillin e Ministrave.

Ministri Pinter e siguroi ministren Hoxha se Hungaria, që nga fillimi i demokracisë, ishte krah qytetarëve të Kosovës, jo vetëm me njohjen e pavarësisë por edhe për integrim në organizatat ndërkombëtare.

Pinter ritheksoi se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, do të sillte vetëm të mira jo vetëm për Kosovën dhe rajonin por edhe më gjerë, duke rikonfirmuar mbështetjen e gjithanshme nga Hungaria. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version