Në këtë takim, ministri Hyseni dhe ambasadori Markusz, biseduan për proceset aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova, ndërsa temë kryesore e takimit ishte çështja e migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës dhe trajtimi i azilkërkuesve në shtetin e Hungarisë.

Ministri Hyseni theksoi se “tashmë është në rënie e sipër numri i qytetarëve të Republikës së Kosovës që kërkojnë azil nëpër vende të ndryshe të BE-së, duke përfshirë këtu edhe Hungarinë”.


Gjatë takimit, po ashtu u bë e ditur se azilkërkuesit kosovarë do të kthehen pasi që Kosova është një vend i sigurt dhe se kosovarëve nuk iu takon e drejta për azil.

Ministri Hyseni vuri në pah se Kosova nuk duhet të mbetet vendi i vetëm i izoluar në Ballkan dhe liberalizimi i shpejtë i vizave është në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe shteteve të Bashkimit Evropian.

Gjithashtu, ambasadori Markusz siguroi ministrin Hyseni për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë së Republikës Kosovës nga Hungaria dhe gjithashtu ofroi përkrahjen për anëtarësimin e Policisë së Kosovës në INTERPOL.