Zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, kanë deklaruar se qasja dhe prania e personave që nuk i takojnë stafit shëndetësort, e personat e infektuar në klinikat ku ata po trajtohen për koronavirus, janë të palejuara.

Isme Humolli, zyrtare për emergjenca e OBSH-së në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi, ka shkallë të lartë të infektueshmërisë, ka pasqyrë të rëndë klinike, si dhe shkallë të lartë të vdekshmërisë. Sipas saj, prania brenda klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) e familjarëve të personave të infektuar me koronavirus, të cilët i shoqërojnë ata, është krejtësisht veprim i gabuar.

“Nuk lejohet asnjë qasje e personave joshëndetësor që të jenë të pranishëm te personat e infektuar. Në qoftë se ju ka rastisur të shihni — edhe personeli shëndetësor që futet dhe ka kontakt me pacientët me COVID -19, janë të veshur në atë mënyrë që e mbrojnë veten që nga koka deri te këmbët. Prania e familjarëve dhe e vizitorëve të ndryshëm, qoftë edhe me një maskë të thjeshtë, është jashtëzakonisht e gabueshme dhe pasojat janë të mëdha”, tha Humolli.

Në të paktën dy raste në 24 orët e fundit, familjarë të pacientëve që vuajnë nga sëmundja COVID-19, kanë deklaruar se kanë qëndruar pranë të afërmve të tyre, gjatë mjekimit në QKUK. Në të dyja rastet, prania fizike e tyre në dhomë me pacientët ishte bërë e ditur përmes deklarimeve që përshkruanin gjendjen në dhomat e pacientëve.

Demush Shasha më 4 korrik, kishte njoftuar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, se po shoqëronte vëllanë e tij në QKUK, i cili ishte i infektuar me koronavirus, teksa ka përshkruar edhe ambientet e brendshme të Klinikës Infektive dhe kujdesin e mjekëve. Vëllai i tij ndërroi jetë ditën e 4 korrikut.

Edhe Arbnora Fazliu nga Mitrovica, babi i së cilës vdiq të dielën nga koronavirusi, tha për mediat në Kosovë se ajo dhe i vëllai kishin qëndruar në dhomë me babanë e tyre gjatë mjekimit, ndonëse jo që të dy në kohën e njëjtë.

Më 1 korrik, Qeveria e Kosovës, ka miratuar masa shtesë për të frenuar përhapjen e sëmundjes COVID -19. Një njërën nga këto pasa parashihet “ndalimi i vizitave të familjarëve të pacientëve në institucionet shëndetësore. Lejohet vetëm një person sipas nevojës”.

Por, zyrtarja për emergjenca e OBSH-së në Kosovë, Humolli, thotë që qeveria nuk është dashur fare të lejojë vizitën e asnjë familjari të pacientëve. Sipas saj, kjo praktikë duhet të ndërpritet menjëherë, sepse bie ndesh edhe me udhëzimet e përcaktuara nga OBSH-ja.

“Me siguri që bie ndesh. Por, duhet të shihet nëse ka pasur interpretim të gabuar, për shkak se vizitorët në Klinikën Infektive lejohen të shohin nga dritarja. Do të thotë, familjari mund ta shohë pacientin nga dritarja. Duhet të shohim nëse ka interpretim të gabuar. Por, një qasje e tillë, në qoftë se ekziston, që lejon familjarët brenda, atëherë kjo është edhe një rritje e rrezikshmërisë për t’u infektuar nga COVID-19. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për COVID-19, por mund të barten edhe infeksionet tjera nga jashtë-brenda, që do të thotë se mund të dyfishohen edhe infeksionet tjera te këta pacientë”, tha Humolli.

Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë që prej regjistrimit të rasteve të para me koronavirus e deri më 4 korrik janë regjistruar 3,356 raste. Prej tyre, 66 pacientë kanë vdekur, 1,874 janë shëruar, ndërsa raste aktive vazhdojnë të jenë edhe 1,416 pacientë. /rel/