(Përkitazi me fotoekspozitën e KNKK-së në sheshin “Nënë Tereza”)
Nga data 14 deri më 24 shtator, organizuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, në qendër të Prishtinës është paraparë të qëndrojë e hapur fotoekspozita me titull “Jetët e Zhdukura”. Fotografitë e kësaj ekspozite janë përgatitur nga Nick Danziger, ndërsa tekstet me të cilat ato shoqërohen, janë shkruar nga Rory Maclean. Në këtë ekspozitë janë përfshirë vetëm një pjesë e materialeve, të cilat në mënyrë integrale janë botuar në librin me të njëjtin titull “Jetët e Zhdukura”, i cili përfshinë personazhet (mbase sipas mendimit të autorëve të tij – më reprezentativë!) nga e gjithë hapësira e ish-Jugosllavisë.
Në qendër të Prishtinës, gjithashtu, ka vite që qëndron e “hapur” “Fotoekspozita”, e organizuar nga familjarët shqiptarë, të cilët gjatë luftës së fundit, nga represaliet dhe dhuna e organizuar e forcave ushtarake dhe policore të Serbisë humbën më të dashurit e tyre. Familjarët shqiptarë, të provokuar nga indulenca dhe indiferenca e institucioneve ndërkombëtare dhe vendore; të nxitur nga mungesa e vënies në vend të drejtësisë për humbjen e më të dashurve të tyre, “Fotoekspozitën” e tyre do ta “hapin” në rrethojat prej hekuri, që e ndajnë hapësirën e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës prej hapësirës publike.
Përcaktimi për përdorimin e hapësirave të caktuara për përcjelljen e mesazheve skripto-vizuale (fotoekspozitat) flet edhe për objektivat, për qëllimet dhe për interesimet e dhënësve të mesazheve ndaj adresantëve që ata i kanë për objektiv të pranimit të mesazheve të tyre. Këto dy fotoekspozita dallojnë për përbërësinë në njërën, dhe për thjeshtësinë në anën tjetër, të kodeve të përfshira në ndërtimin e mesazhit që synojnë ta përcjellin.
Për shkak se synon ta shprehë faktin empirik, që është i drejtpërdrejtë dhe ka karakter njohës, në “Fotoekspozitën” e nënave shqiptare, mesazhi është ndërtuar kryesisht mbi kodin e qartësisë optike të fotografisë (për aq sa ua kanë lejuar mundësitë individuale financiare familjarëve të viktimave që të realizojnë fotografitë me portretet e më të dashurve të tyre në mënyrë sa më të qartë). Ndërsa, për shkak se synon të shprehë koncept dhe pikëpamje me karakter vlerësues, në fotoekspozitën e organizuar nga KNKK-ja, mesazhi është ndërtuar mbi kodin e pikëshikimit, mbi kodin e përzgjedhjes së karaktereve dhe të personazheve, mbi kodin e zgjedhjes së planeve, të moshës, të gjinisë, të mjedisit social-kulturor, dhe kodin retorik (të fjalëve të shprehura në tekstet, të cilat i shoqërojnë imazhet vizive). Por, këto dy ekspozita, gjithashtu dallojnë edhe për nga ana “teknike” e përkujdesjes ndaj tyre: ndërsa fotoekspozita e organizuar nga familjarët shqiptarë të të zhdukurve – për shkak se bazohet në sigurinë e së drejtës së vet dhe për shkak se beson në solidaritetin e mjedisit – nuk mbikëqyret nga askush; fotoekspozita e KNKK-së, për shkak se dyshon në vetveten dhe mjedisin, është vënë nën mbikëqyrjen e një Agjencie Sigurimi.
Pse KNKK fotoekspozitën e vet do ta hapë në qendër të qytetit, e jo, ta zëmë, afër fotoekspozitës së familjarëve shqiptarë, apo përballë saj? Përgjigjja është e thjeshtë: KNKK-ja mesazhin e vet nuk do ta synojë t’ia përcjellë Kuvendit e as Qeverisë së Kosovës. KNKK-ja do ta shfrytëzojë hapësirën në mes të qendrës së Prishtinës, vendin më të frekuentuar nga njerëz të moshave, gjinive dhe profesioneve të ndryshme, sepse adresantë të mesazhit të vet synon ta ketë masën, së cilës pretendon t’i përcjellë aso përmbajtje mendore, që procesin e mendimit të saj të mund ta orientojë në idenë se të vrarët – pavarësisht se a ishin në anën e agresorëve apo në anën e atyre që mbroheshin – janë viktima dhe se viktimat janë viktimat pavarësisht se në cilën anë ato ndodhen: viktimë është si i riu boshnjak, cili është vrarë në Masakrën e Srebrenicës së bashku me 8000 boshnjakë të tjerë, ashtu edhe serbi i vrarë, që krahpërkrah me birin e vete dhe së bashku me Armatën Jugosllave, ka luftuar kundër boshnjakëve; se viktima të vrasjeve dhe zhdukjes të të afërmeve të tyre janë edhe nëna e boshnjakut të ri, që kërkon drejtësi për birin e vet të zhdukur, ashtu edhe serbi, i cili e kërkon babanë e vet të zhdukur, që bashkërisht me babanë, të angazhuar në luftë kundër boshnjakëve, kanë kontribuuar për prodhimin e krijesës gjenocidale të Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinë.
Si është e mundur një gjë e tillë? Duke u bazuar në parimin universal të së drejtës humanitare, dhe duke e parë këtë të drejtë shkoqur nga konteksti politik ndërkombëtar i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe shkoqur konceptit për luftërat e drejta dhe luftërat e padrejta që janë zhvilluar në këtë kontekst shpërbërjeje, me fotot dhe me përmbajtjen e teksteve që i përcjellin ato, me fotot e personazheve nga vende të ndryshme brenda hapësirës së ish-Jugosllavisë, ekspozita e hapur në qendër të qytetit të Prishtinës synon të përcjellë mesazhin se në luftërat e zhvilluar në gjithë hapësirë e ish-Jugosllavisë të gjithë kanë qenë viktima dhe njëkohësisht të gjithë kanë qenë fajtorë; se fajtor kujdestar i të gjitha fajeve të tjera është nacionalizmi “irracional” i gjithë ballkanasve të përfshirë në konflikt. Prandaj, detyrë e tyre është që të lirohen nga “irracionaliteti i nacionalizmit” të tyre. Që ta përcjellin sa më fuqishëm tek marrësi këtë mesazh, organizatorët e ekspozitës duket se kanë investuar shumë mund dhe para për estetizmin e dhembjes duke i njësuar funksionet e kodeve të përbëra për ndërtimin e mesazhit politik për “bashkëpendesë kolektive gjithërajonale” dhe për “tolerancë ndëretnike”, si kusht për integrimin evropian të të gjithë rajonit.
Mesazhet politike relaksuese mund të përçohen më lehtë në mjedise relaksuese, siç është shëtitorja në sheshin “Nënë Tereza”. Po të vendosej fotoekspozita e KNKK-së përballë “Fotoekspozitës” së nënave shqiptare, dhembja e estetizuar e saj do të çarmatosej para të vërtetës së faktuar për mungesën e drejtësisë që e shprehin fotografitë e zbehta me portretet e viktimave në “Fotoekspozitën” e nënave shqiptare.
Kemi dhjetë vjet që nga institucione ndërkombëtare dhe nga vetë KNKK-ja na sugjerohet që çështja e të zhdukurve të trajtohet si çështje humanitare dhe që ajo të mos politizohet. Por, krejt e kundërta ndodh me fotoekspozitën e KNKK-së. Ekspozita në qendrën sheshit “Nënë Tereza”, jo larg fotoekspozitës së organizuar nga familjarët shqiptarë të personave të zhdukur, të cilët kanë dhjetë vjet që i kërkojnë të dashuritë e tyre dhe vendosjen e drejtësisë për ta (dënimin e kriminelëve që i shkaktuan krimet në Kosovë), përçon mesazhin për një tolerancë abstrakte, e cila – duke u bazuar në parimin e së drejtës humanitare që, njëkohësisht, shërben edhe si parim metodologjik në funksion të arritjes së “objektivitetit” dhe “paanësisë” politike për ndërtimin dhe përcjelljen e mesazhit – përftohet prej zhdukjes së dallimeve ndërmjet idesë për të qenë i lirë dhe idesë për të shtypur; zhdukjes së dallimeve ndërmjet luftërave të drejta dhe luftërave të padrejta.
Objektiviteti, si parim metodologjik, që e zhvleftëson të drejtën dhe drejtësinë, të vërtetën dhe gënjeshtrën, mund ta afirmojë konceptin e tolerancës abstrakte ndërmjet popujve, si ide politike, por një objektivitet i tillë nuk mund t’i shërbejë humanizimit të marrëdhënieve ndërmjet popujve dhe njerëzimit, në përgjithësi. Objektiviteti që bazohet vetëm në parimin e të drejtës humanitare buron nga subjetivizimi politik dhe përfundon në aktin e prodhimit të efekteve subjektiviste politike.
Sheshi “Nënë Tereza”, që nga 14 shtatori e deri më 24 shtator, tashmë me dy fotoekspozitat, me përmbajtje dhe qëllime të ndryshme të tyre, do ta përjetojë ndeshjen e simboleve të kundërta dhe luftën për kontrollin ndaj simboleve në Ballkan: Ekspozita e nënave shqiptare, e cila na përcjell mesazhin se e vërteta dhe drejtësia është kusht për humanizimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore dhe paqen e qëndrueshme; dhe Fotoekspozita e KNKK-së, e cila na përcjell mesazhin se paqja dhe stabiliteti që përftohet përmes “pendesës kolektive gjithërajonale” (e shprehur kjo si nga ana e viktimës ashtu edhe nga ana e agresorit), është kusht për perspektiven e integrimit në BE të rajonit. Më 24 shtator, fotoekspozita e KNKK-së do të marrë rrugë për një vende të tjera të ish-Jugosllavisë, por edhe për në disa vende të Evropës dhe të Amerikës. Pas kësaj date dhembja e nënave shqiptare dhe Mungesa e Drejtësisë do të vazhdojnë të qëndrojnë varur në hekurat e murit rrethues të institucioneve të Kosovës.