Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj në një konferencë për media tha se pas rastit të arrestimit të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj duhet të rishikohen raportet, qasja dhe dialogu me Serbinë.
Ai në një konferencë për media tha se Serbia po e keqpërdorë INTERPOL-in dhe dialogun me Kosovën.
Ministri i Jashtëm po ashtu theksoi se ka biseduar me ministrin e Jashtëm të Francës dhe ia ka sqaruar deri në detaje rastin.
Hoxhaj tha se është befasuar me njohuritë që kishte ministri i jashtëm francez për rastin, por siç tha Hoxhaj në shtetet demokratike gjyqësori është i shkëputur nga politika.
Sipas tij, Serbia është duke e keqpërdorur INTERPOL-in.
Hoxhaj sqaroi se lidhur me arrestimet për shkak të fletë arresteve ndërkombëtar të Serbisë ka parandaluar disa raste të arrestimeve të qytetarëve të Kosovës.
Ai tha se ka informata që Serbia ka zgjeruar listën e personave për të cilat ka lëshuar ose pritet të lëshojë fletë arreste ndërkombëtare për qytetarët e Kosovës.
Duke folur për ndalimin e Haradinajt në Francë, Hoxhaj tha se Kosova ka shkuar me reciprocitet, duke ia ndaluar presidentit serb, Tomislav Nikoliq vizitën në Kosovë.
Ministri tha se në të ardhmen do të ketë veprime reciproke ndaj Serbisë. /Telegrafi/