LAJMI I FUNDIT:

Hoxhaj në kërkim të një ambasadori serb për në Zagreb

Hoxhaj në kërkim të një ambasadori serb për në Zagreb

Ministria e Punëve të Jashtme është në kërkim të një personi për ta emëruar ambasador të Kosovës në Kroaci. Dhe ai duhet jetë serb.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë dhënë Radios publike gjermane.

Në intervistë ministri i Jashtëm kosovar ka vlerësuar se në të kaluarën në Kosovë viktima nuk kanë qenë vetëm shqiptarët, por edhe serbët.


Siç transmeton “Koha”, Hoxhaj ka thënë se Kosova është dhe do të jetë shtet multietnik. “Kosova përherë ka qenë vend multietnik dhe përherë do të jetë vend multietnik, ne jemi shumë krenarë që jemi shoqëri diverse dhe këtu kemi shoqëri multietnike”, ka thënë Hoxhaj.

Megjithëse Kosova nuk ka ambasadë në New York, por vetëm konsullatë, ministri i Jashtëm Hoxhaj ka thënë se zëvendësambasadorët në New York dhe në Bruksel praktikisht janë serbë.

“Në qeverinë tonë një zëvendëskryeministër dhe tre ministra janë nga pakica serbe, ata janë pjesë e të gjitha institucioneve të mundshme, përfshirë edhe politikën e jashtme, madje në udhëheqje.

Zëvendësambasadorët në Bruksel dhe në New York praktikisht janë serbë, dhe tani jam në kërkim që në të ardhmen në Zagreb ta dërgojmë një ambasador të ri nga pakica serbe”, është shprehur ai. /Telegrafi/