LAJMI I FUNDIT:

Hoti: Do ta rrisim shumën e Fondit të Rimëkëmbjes Ekonomike

Hoti: Do ta rrisim shumën e Fondit të Rimëkëmbjes Ekonomike
Foto: Arkiv

Kryeministri i Kosovës, Avdullah ka deklaruar se beson që Fondin e Rimëkëmbjes Ekonomike nga pandemia COVID-19 për vitin 2021, do ta rrisin edhe më shumë gjatë dy leximeve në Kuvend, por gjithashtu janë duke diskutuar edhe me donatorë për t’i bërë bashkë të gjitha fondet në funksion të rimëkëmbjes.

Hoti këto komente i bëri gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kontratave për skemat e granteve, programi i rimëkëmbjes ekonomike, e cila u organizua nga Ministria e Zhvillimit Rajonal.


Ai tha se me këtë skenë janë rreth 500 punëtorë që do të përfitojnë vende pune.

“Unë shpresoj që kjo masë sado simbolike që mund të jetë, është një lehtësim në veçanti për bizneset e vogla dhe të mesme dhe është me interes që janë marrë specifikat e regjioneve të ndryshme në aspektin e zhvillimit rajonal. Ne kemi edhe masa tjera siç e dini të mbështetjeve të bizneseve. Kjo masë nuk është e fundit, ne jemi të detyruar që edhe në vitin e ardhshëm të parashohim një fond për rimëkëmbjen ekonomike të cilin e kemi bërë pjesë të buxhetit në vlerë prej 182 milionë, po i cili do të rritet, besoj që gjatë dy leximeve në Kuvend do ta rrisim më tutje dhe gjithashtu jemi duke diskutuar edhe me donatorë, partnerë tanë zhvillimor për t’i bërë bashkë të gjitha fondet në funksion të rimëkëmbjen ekonomike. Krejt fokusi jonë gjatë kësaj periudhe ka qenë që ne t’iu ndihmojmë familjeve, t’iu ndihmojmë bizneseve që në një farë mënyre të qëndrojnë në treg”, tha Hoti.

Ministri i Zhvillimit Rajonal, Enis Kërvan ka uruar të gjithë përfituesit e skemës së granteve, skemë kjo e cila kap vlerën 8 milionë euro.

“Aplikuesit besojmë që i kanë pasur në dispozicion të gjitha udhëzimet lidhur me kriteret dhe procesin e aplikimit. Nga 667 aplikues që kanë qenë gjithsejtë, sot në këtë ceremoni po nënshkruajmë kontratat me 156 prej tyre si përfitues nga pesë rajone të zhvillimit, loti 1 në total 59 përfitues dhe loti 2, 97 biznese ose përfitues”, tha ai.

U premtua se këtë javë do të kalojë Projektligji për Rimëkëmbje, a janë siguruar votat nga Qeveria Hoti?
Lexo po ashtu U premtua se këtë javë do të kalojë Projektligji për Rimëkëmbje, a janë siguruar votat nga Qeveria Hoti?

Sipas tij, kjo skemë synon të punësojë rreth 500 punëtorë të rinj, do të kontribuojë në avancimin e proceseve të bizneseve dhe rritjen e eksportit.

Kryeministri Avdullah Hoti javën që lamë pas premtoi se këtë javë do të kalojë ky Projektligj.

Në fillim të muajit nëntor, kishte dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku ishte paraparë të hidhet në votim për lexim të dytë ky Projektligj. Seanca kishte dështuar në mungesë të kuorumit.

Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.

Nëse Projektligji siguron votat e nevojshme edhe në lexim të dytë, kryetarja e Kuvendit e nënshkruan dhe e dërgon tek Presidenti për shpallje. Ndërkaq, Presidenti ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.

Në dispozitat e këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi e disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.

Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro. /Telegrafi/