Nuk ka liberalizim të vizave pa u ratifikuar marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi në Kuvend. Si duket procesi nga Bashkimi Evropian po ecën me ritme të paralajmëruara, ndërsa në Kosovë ka ngecje.
Kështu është shprehur profesori i së drejtën ndërkombëtare, Afrim Hoti në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel.
“Me ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit në Kuvendin e Malit të Zi jemi futur thellë në proces”, thotë profesor Hoti, duke shtuar se Mali i Zi mund të ngreh probleme, përderisa pala tjetër ende nuk e ka bërë ratifikimin.
Hoti nuk e përjashton mundësinë që të kemi liberalizim të vizave por thotë se është nevojë t’i trajtojmë problemet brenda përbrenda Kosovës.
“Kuvendi nëse është nevoja, jo të shkojë në pushim, por duhet të punojë 24 orë për t’i përmbushur kriteret e mbetura, demarkacionin dhe luftën kundër korrupsionit”, ka thënë profesori, duke shtuar se çështja e korrupsionit është në maje të agjendës dhe përket duhet ta konsolidojmë sistemin e drejtësisë dhe tani duhet të japim rezultate konkrete dhe të prekshme.
Ai thotë se përgjegjës për vizat janë institucionet e vendit si për suksese ashtu edhe për dështime.
“Jemi para dilemës shumë të qartë. Duhet ratifikim i marrëveshjes së demarkacionit dhe luftimi i korrupsionit. Kemi ardhur deri këtu si shkak i praktikave politike. Sikur të mos kishte ndodhur kjo, vizat do t’i kishim në dhjetor të vitit 2015”, ka deklaruar ai.