LAJMI I FUNDIT:

HIJE E VOGËL… GATI E MBYTUR…

HIJE E VOGËL… GATI E MBYTUR…

Poezi nga: Elsa Morante
Përktheu: Maksim Rakipaj

Pashë veten në sy.
Rrallë shihemi, me vetveten kështu,
sy më sy
dhe duket se në ndonjë rast
është një ushtrim shumë i vështirë.


Thonë se,
duke u zhytur në pasqyrën
e syve të tu,
me përqëndrim të veçantë
dhe njëkohësisht, i çliruar, i lëshuar krejt,
arrin, më në fund të shquash
në fund të bebëzave, atë Tjetrin,
që është madjé, Vetja jote, e vetmja dhe e vërteta,
thelbi ynë dhe i çdo qënieje,
pikërisht ajo pikë që mund të quhet Zot.

Unë amà, në pellgun e lëngshëm,
tjetër gjë nuk shquajta
veçse një hije të vogël, të shkrirë,
(gati të mbytur)
të një fëmije të vonuar
që mbyllur brenda meje gjallon.

Gjithnjë po ai fëmijë, i njëjti,
me të njëjtën kërkesë për dashuri
të tejkaluar dhe që s’i hyn në punë tashmë,
por kryeneç, këmbëngulës deri në paturpësi.