Site icon Telegrafi

Haxhiu: Presidenti është përfshirë në një proces të paligjshëm e klandestin

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nga LVV, ka kërkuar edhe njëherë nga presidenti i vendit dhe LDK-ja që të publikojnë letrat për mandatarin.

Haxhiu ka deklaruar se Thaçi është duke vepruar në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Të bindur edhe vetë se janë duke bërë shkelje të shumëfishtë të Kushtetutës po përpiqen të mos lënë gjurmë dhe të zhdukin ato, duke fshehur letrat dhe bazën kushtetuese që nuk e kanë”, ka shkruar Haxhiu.

Postimi i plotë i Haxhiut:

“Sot, janë bërë shtatë ditë nga kur presidenti Thaçi jashtë autorizimeve kushtetuese dhe në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, mblodhi partitë politike dhe paralajmëroi veprime antikushtetuese për krijimin e një Qeveri të re. Që nga ajo ditë, Thaçi i ka dërguar dy letra kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, me aludimin për të kërkuar propozimin e mandatarit për kryeministër. Por, qytetarët e vendit, mediat dhe publiku i gjerë nuk i ka parë këto letra.

Të bindur edhe vetë se janë duke bërë shkelje të shumëfishtë të Kushtetutës po përpiqen të mos lënë gjurmë dhe të zhdukin ato, duke fshehur letrat dhe bazën kushtetuese që nuk e kanë. As sot e asaj dite, as Presidenti dhe as LDK nuk i kanë publikuar këto letra, përmbajtjen e tyre dhe se në cilin nen apo paragraf të Kushtetutës është bazuar Presidenti për një veprim të tillë. Nëse Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti mendojnë se kanë bazë kushtetuese për veprimet e tyre, atëherë pse nuk po i bëjnë publike letrat dhe pse po i ikin transparencës?!

Të vetëdijshëm se ajo çfarë po bëjnë nuk parashihet me Kushtetutë, rrjedhimisht ndalohet, presidenti është përfshirë në një proces tërësisht të paligjshëm e klandestinë, përveçse edhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë nënshkruar sot marrëveshjen për bashkëqeverisje.

Nënshkrimin e kësaj marrëveshje e konfirmoi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pas takimit që pati me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe kandidatin për kryeministër, Avdullah Hoti.

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu ka treguar për hapat që do të ndërmarrin nëse Presidenti dekreton kandidatin e LDK-së për kryeministër.

Kryeziu në RTV Dukagjini ka thënë se është shqetësues komunikimi pa transparencë i Presidentit me kryetarin e LDK-së për një çështje të rëndësishme siç mund të jetë formimi i një qeveri të re.

Ai ka thënë se posa të bëhet publik dekreti i Presidentit do të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. /Telegrafi/

Exit mobile version