Site icon Telegrafi

Haradinaj: Deklarata e Vuçiqit është cenim serioz i sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj deklaratës të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të dhënë një ditë më parë se nuk i njeh kufijtë e Kosovës.

Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se kjo deklaratë është kërcënuese, agresive dhe luftënxitëse nga presidenti Vuciq.

Sipas tij, këto deklarata janë të papranueshme dhe paraqesin cenim serioz të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

“Deklaratat e fundit kërcënuese, agresive dhe luftënxitëse të Presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, të dhëna dje me datë 7 shkurt 2019 në qytetin e Vranjës, Serbi, se nuk i njeh kufijtë e Kosovës, kufijtë ndërkombëtarisht të njohur dhe të pranuar në Jarinjë dhe Bërnjak, janë të papranueshme dhe paraqesin cenim serioz të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Këto deklarime janë edhe një atak i hapur ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë, rajon dhe më gjerë. Si kryeministër i Republikës së Kosovës zotohem se do të ndërmarr të gjitha veprimet kushtetuese dhe ligjore me qëllim të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, në përputhje me Deklaratën e Pavarësisë së 17 shkurtit 2008 dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka shkruar kryeministri Haradinaj në Facebook. /Telegrafi/

Exit mobile version