Si po ecën turneu, flitet për një sukses shumë të madh apo jo?
Greta: Po, është e vërtetë. Kam nisur një turne koncertesh në të gjithë Shqipërinë. Kam realizuar 8 koncerte deri tani. Jam ende në vazhdim të këtij turneu. Ky është angazhimi im i momentit. Kam dhënë koncerte në Laç, Rrëshen, Burrel, Shijak, Kavajë, Patos, Librazhd, Peqin. Në këtë turne të gjatë koncertor që unë kam ndërmarrë, shoqërohem nga trupa e baletit dhe banda ime. I gjithë interpretimi im është live. Spektakli zgjat dy orë dhe unë interpretoj të gjitha këngët e mia, si dhe një ose dy hite botërore.
Si shkoi koncerti më i fundit?
Greta: Shumë mirë. Koncerti i fundit ka qenë në Peqin. Kam kaluar vërtet shumë mirë në të gjitha koncertet. Më vjen keq që një pjesë e madhe e publikut mbetën jashtë, për arsye se nuk kishte më vende në sallën e koncertit. Autoritetet lokale na kërkuan që të zhvillonim dy shfaqje, por për arsye teknike ishte e pamundur të realizohej. Ishte një publik i mrekullueshëm.
Para pak ditësh keni bërë një akt bamirësie, një shumë parash në ndihmë të familjeve të prekura nga tragjedia e Gërdecit…
Greta: Të gjithë artistët janë të ndjeshëm. Unë ndjenjën e humanizmit e kam shprehur edhe në raste të tjera. Kam zhvilluar koncert humanitar në Shkodër dhe të ardhurat e këtij koncerti i kanë kaluar “Shtëpisë së fëmijëve jetim”. Rasti i Gërdecit ishte një rast tragjik që më shkaktoi shumë dhimbje. Unë fitova çmimin e parë në festivalin “Mikrofoni i Artë“. Ministria e Kulturës më vlerësoi, duke më akorduar 5 milion lekë të vjetra. Unë këto lekë nuk i kam marrë akoma dhe dhurimi i kësaj shume për fatkeqët e kësaj tragjedie nuk e konsideroj aspak si kontribut, por detyrim. Këto ditë, unë do të kërkoj një takim me Ministrin e Kulturës, z. Ylli Pango, në mënyrë që të urdhëroj administratën e tij që të kaloj shuma e dhuruar nga unë, familjarëve të dëmtuar nga kjo tragjedi!
Çfarë po përgatit tjetër momentalisht Greta?
Greta: Aktualisht po përgatitem për albumin e ri. Janë disa këngë të reja, që do të promovohen me daljen e albumit. Albumi do të ketë një këngë që do ta kryesojë dhe ajo do të shoqërohet me një videoklip të veçantë.
Si do të vijojë më pas turneu juaj? Ndonjë projekt për muajt e verës?
Greta: Do të jetë turne në të gjithë Shqipërinë. Turneu në bregdet në sezonin veror, duke filluar nga Ulqini, Velipoja, Shëngjini, Durrësi, Vlora, Saranda, Pogradeci, Struga. Pas përfundimit të këtij turi veror do të nis turneun jashtë vendit, ku do të shkel çdo qytet të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Në fund do të finalizoj turneun tim në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, në nëntor.
Ju mbetet ndopak kohë e lirë për t’iu përkushtuar gjërave të tjera?
Greta: Jo, nuk kam absolutisht kohë, pasi e kam planifikuar këtë vit vetëm për turneun koncertor.
Kjo është edhe arsyeja që nuk jeni pjesëmarrëse këtë vit në “Top Fest”?
Greta: Nuk e kam planifikuar pjesëmarrjen në “Top Fest” vetëm për këtë arsye, të angazhimit shumë të madh me koncertet. Turneu po më ha shumë kohë dhe sigurisht që është një kënaqësi më vete.
Si po shkon shkolla, cilat janë marrëdhëniet me shoqet dhe shokët e klasës?
Greta: Në shkollë, sigurisht që kam krijuar shoqëri me shoqet dhe shokët e klasës. Kam marrëdhënie shumë të mira.
Po jashtë shkolle, ke shoqëri?
Greta: Jo, jashtë shkollës nuk kam shoqëri! Por si familje kemi shumë miq të mirë, me të cilët dalim vazhdimisht kur kemi kohë të lirë.
Nevrikosesh shpesh? Cilat janë gjërat që të bëjnë më shumë nervoze?
Greta: Nevrikosem, por jo në nivel shqetësues. Bëhem me nerva për shembull kur teknikën nuk e kam në rregull gjatë provave, kur kam ndonjë të metë në grim apo në veshje. Pra gjëra të vogla, që çdo njeri nervozohet pakëz.
Çfarë të gëzon?
Greta: Më gëzon suksesi i punës time.
Keni ndonjë bashkëpunim në vijim të punës suaj?
Greta: Bashkëpunimet janë të bukura, por aktualisht nuk kam diçka konkrete!
Këngëtarët që Greta preferon më shumë?
Greta: Do të veçoja ata të huaj që janë: Celine Dion, Whitney Huston, Christina Aguilera./bluetooth/