Në një poligon qitjeje në Zaporizhzhia në Ukrainën juglindore, gjashtë gra po mësojnë se si të përdorin armët, si pjesë e një programi trajnimi luftarak urban.

Duke u përkulur pas mureve të improvizuara, dikush vë në shënjestër një objektiv në distancë, përpara se të vrapojë në një pozicion tjetër. Shumica janë të rinj dhe shumë prej tyre janë të veshur me ngjyrë ulliri.

Është sesioni i tyre i tretë në “The Sixth Sense”, një qendër trajnimi sigurie në qytet, ku një ekip ekspertësh sapo ka krijuar skemën që u mëson grave aftësitë e armëve dhe taktikat e luftimit urban.

Me luftimet gjithnjë e më afër qytetit, 47-vjeçarja, Natalia Basova nuk mendoi dy herë për t’u regjistruar. Për të, vija e parë është shumë afër, raporton france24.

“Unë dija të përdorja armët edhe para luftës. Kam vizituar edhe më parë poligonet e qitjes, kam qenë shumë e interesuar”, thotë Basova, e cila po vijon kursin me vajzën e saj 29-vjeçare, Ulyana Kiyashko.

“Por tani të gjithë duhet të dinë për të”, thotë ajo teksa trembet paksa pas këristjes së një arme pas saj.

Burri dhe djali i Basovës tani janë në vijën e parë të frontit, si dhe dhëndri i saj. Ndërsa burrat e tyre po luftojnë, ajo dhe vajza e saj po përpiqen të mësojnë sa më shumë që të munden rreth luftimeve urbane.

“Instruktori ynë na mëson se si të marrim në shënjestër dhe si ta përdorim saktë një armë”, tha ajo për AFP duke shtuar se “ne dinim të gjuanim, por nuk dinim ta bënim siç duhet”.

Deri më tani, qendra ka trajnuar vetëm personel ushtarak ose luftëtarë të mbrojtjes territoriale.

Por gjithnjë e më shumë gra po vijnë përpara për t’u trajnuar në Zaporizhzhia, në mënyrë që ato të përgatiten nëse forcat ruse futen në qytet.

Sipas ligjit ushtarak, trajnimi është falas për të gjithë banorët e qytetit. Për gratë, programi zgjat 15 orë.

Instruktorët punojnë si me ushtarakët ashtu edhe me civilët duke ofruar trajnime në tre fusha: trajtimi bazë i armëve, një kurs i specializuar dhe një element taktik për pushkët e sulmit kallashnikov, normalisht për forcat speciale.

Që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, rreth 4000 njerëz janë trajnuar në qendër. /Telegrafi/