Një gjykatë algjeriane ka dënuar me vdekje 49 persona pasi u shpallën fajtorë për linçimin e një njeriu të dyshuar gabimisht për ndezjen e zjarreve në pyje vitin e kaluar, thotë agjencia shtetërore e lajmeve.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, dënimet pritet të reduktohen në burgim të përjetshëm pasi ka një moratorium për ekzekutimet.

Në vitin 2021, Algjeria përjetoi zjarret më të këqija në historinë e vendit, me zjarre të shumta që vranë 90 njerëz.

Dhe viktima e linçuar, Djamel Ben Ismail, kishte shkuar për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve.

Pas shpërthimit të zjarreve në gusht të vitit të kaluar, 38-vjeçari shkroi në Twitter duke thënë se do të udhëtonte mbi 320 km (200 milje) nga shtëpia e tij për t’u “dhënë dorën miqve tanë” duke luftuar flakët në rajonin Kabylie, në lindje të kryeqyteti Algjer, i cili ishte zona më e goditur.

Reklama
Reklama

Menjëherë pasi ai mbërriti, vendasit e akuzuan atë në mënyrë të rreme se kishte ndezur vetë zjarret.

Më 11 gusht, pamjet grafike filluan të qarkullojnë që supozohet se tregonin Ben Ismailin duke u sulmuar.

Njerëzit e torturuan dhe dogjën para se ta çonin trupin në sheshin e fshatit.

Pamjet shkaktuan zemërim kombëtar.

Vëllai i Ben Ismail u bëri thirrje përdoruesve të mediave sociale që të fshijnë pamjet e sulmit. Nëna e tij, tha ai, ende nuk e dinte se si i kishte vdekur djali.

Ndërsa babai i tij, Noureddine Ben Ismail, tha se ai ishte “i shkatërruar”.

“Djali im u largua për të ndihmuar vëllezërit e tij nga Kabylie, një rajon që ai e do. Ata e dogjën të gjallë”, citohet të ketë thënë ai.

Reklama
Reklama

Agjencia e lajmeve AFP raporton se thirrjet e babait për qetësi dhe “vëllazëri” u vlerësuan nga algjerianët.

Zjarret ndodhën mes kushteve të thata dhe temperaturave shumë të larta, por autoritetet fajësuan edhe “kriminelët” për flakët.

Gjykata dënoi 28 të tjerë me nga dy deri në 10 vjet për vepra të tjera që lidhen me linçimin, citon AFP të raportojë agjencia shtetërore e lajmeve. /Telegrafi/