Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, pas takimit që pati me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se vendi i tij mbështet ambiciet e Kosovës për anëtare të Këshillit të Evropës dhe marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.
Gjukanoviq tha se deficiti themelor i rajonit mund të eliminohet vetëm përmes integrimit.
“Prandaj edhe vullneti ynë për të bashkëpunuar për këto çështje me të gjithë fqinjët tanë. Ne besojmë se kjo është mënyra e vetme për të forcuar stabilitetin”, tha Gjukanoviq.
Ai shtoi se në këtë kontekst, Mali i Zi i kupton ambiciet e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.
“Ne e kuptojmë iniciativën e tyre për të marrë statusin e kandidatit për në BE. Ne e mbështesim fuqimisht dhe mendojmë se është e vetmja qasje e përgjegjshme ndaj ambicieve të Kosovës dhe çdo vendi tjetër në rajon”, tha Gjukanoviq, raporton RTCG.
Siç vlerësoi ai, regjimi pa viza për qytetarët e Kosovës është hapi i parë i rëndësishëm.
Gjukanoviq tha se ai dhe presidentja Osmani kanë biseduar edhe për çështje bilaterale dhe se janë të kënaqur sepse marrëdhëniet janë thelbësore, cilësore dhe miqësore, por se ka hapësirë të qartë për përmirësime të mëtutjeshme, transmeton Telegrafi.
Presidentja Osmani tha se Mali i Zi deri më tani ka treguar mbështetje të qartë për Kosovën në të gjitha fushat.
“Mali i Zi dhe Kosova janë shtete sovrane dhe qartësisht të përkushtuara në rrugën e anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë të punojmë me synimin për të zgjidhur çështjet e së kaluarës sonë të dhimbshme. Ne do të vazhdojmë në rrugën e paqes dhe stabilitetit”, tha ajo. /Telegrafi/