Gjini ka thënë se Qeveria e tashme nuk duhet ta qeverisë më vendin pasi nuk i ka 61 deputetë të cilët e mbështesin në Kuvend. “Tani Qeveria nuk e ka shumicën. Pra, numri më i madh i deputetëve nuk janë mbështetës të Qeverisë”, ka thënë ai në një intervistë për “Epokën e re”.

Gjini i ka bërë thirrje opozitës të jetë e bashkuar në mënyrë që sa më shpejt të rrëzohet Qeveria. “Po shohim se kjo Qeveri nuk e ka në plan të japë dorëheqje, edhe pse në suaza normale do të ishte dashur të japë dorëheqje si akt moral i humbjes së shumicës në Kuvend. E meqë nuk po shohim ndonjë shenjë se do të japë dorëheqje në këto rrethana, opozita duhet të bashkohet dhe të mos e godasë njëri-tjetrin. Do të vijnë zgjedhjet dhe fushata ku do të kemi mundësi ta kritikojmë njëri-tjetrin. Tash është koha për t’i bërë votat bashkë e për ta ndërprerë këtë qeverisje”, ka deklaruar Gjini.


Në këtë kontekst, ai ka thënë se do të ishte dëm i madh nëse PDK-ja do të vazhdojë ta qeverisë vendin edhe më tutje. “Një numër shumë i madh i njerëzve në AAK, por edhe unë personalisht, mendoj se do të ishte dëm tepër i madh për Kosovën nëse PDK-ja nuk del në opozitë”, ka theksuar Gjini.

Nënkryetari i AAK-së ka thënë se Qeveria, e cila nuk e ka shumicën e deputetëve në Kuvend, nuk ka të drejtë as morale, as demokratike e as politike të vazhdojë të qeverisë edhe nëse i ka mbetur një javë para se t’i skadojë mandati. “Në vendet normale demokratike, kur Qeveria e humb shumicën, jep dorëheqje ose kërkon partnerë të rinj ose bën diçka, por nuk mund të vazhdojë të qeverisë pa i pasur 61 deputetë të cilët e mbështesin. Kjo Qeveri po vazhdon të qeverisë pa i pasur 61 deputetë. E shihni çka po ndodh në Kuvend?”, është shprehur Gjini. Ai ka vlerësuar se Kosovës, për ta rikthyer besimin e qytetarëve në shtetin e tyre, i duhet një qeveri me energji të jashtëzakonshme. “AAK-ja po provon t’ia japë Kosovës një qeveri të tillë me z. Ramush Haradinaj në krye”, ka thënë Gjini. /Telegrafi/