Pas shumë përpjekjeve që nga shtatori i vitit të kaluar, komuna e Gjilanit më në fund ka arritur të miratojë buxhetin për vitin 2025.
Votimi i këtij buxheti u bë sot gjatë një seance të jashtëzakonshme e cila ishte ftuar nga opozita. Pika e projekt-buxhetit për vitin 2025 është miratuar në mënyrë unanime, me 33 vota për dhe asnjë kundër.
Ky buxhet u votua me disa ndryshime, ku u pranuan edhe kërkesat e PDK-së dhe LDK-së, raporton Telegrafi nga vendi i ngjarjes.
Ky buxhet për vitin 2025 ka vlerën 39,897,580.00 euro.
Gjatë adresimit para kuvendarëve, kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka thënë se kjo seancë nuk është ftuar sipas procedurave siç e thotë ligji, pasi do të duhej të cilësohej si seancë urgjente e ftuar nga ai, për ta prezantuar më pas buxhetin për vitin 2025.
Avdyl Aliu, shef i grupit të LDK-së, ka thënë se e votojnë buxhetin e planifikur me disa projekte shtesë të propozuar nga partia e tij, me përjashtim të projektit të bulevardit të qytetit, pasi, sipas tij, është në kundërshtim me Planin Zhvillimor Urban dhe me planet e niveleve të tjera, të cilën e ka kundërshtuar kreu i Gjilanit, duke thënë se ky projekt është në harmoni të plotë me legjislacionin në fuqi.
Shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Bujar Nevzati, pasi konfirmoi se do ta votojnë buxhetin, ka propozuar ndarjen e një millioni euro për varrezat e qytetit, projektin për ndërtimin e një qendre për qentë endacakë, funksionalizimin e shkollës së agro-biznesit etj., derisa Nazim Gagica, shef i AAK-së, tha se shtatë muaj më parë i ka dhënë mbështetje buxhetit, për të shtuar se nuk e ka asnjë kërkesë e as propozim shtesë.
Kujtojmë se në rast të mos votimit të këtij buxheti, Gjilani rrezikonte të shkonte në zgjedhje të parakohshme. /Telegrafi/