SPD, të Gjelbrit dhe FDP kanë vulosur programin e koalicionit të tyre të përbashkët qeveritar. Përfaqësuesit e partive të semaforit nënshkruan kontratën e tyre të koalicionit.
Scholz tha: “Ky duhet të jetë një mëngjes kur ne nisemi për një qeveri të re”. Lufta kundër krizës së coronavirusit do të kërkojë fillimisht të gjithë energjinë e koalicionit të ri. Bashkëkryetari i të Gjelbërve dhe zëvendëskancelari i caktuar, Robert Habeck theksoi se fjala është që Gjermania të vihet në rrugë neutrale për klimën dhe për të pajtuar mirëqenien me neutralitetin klimatik.
Kreu i FDP, Christian Lindner tha: “Tani fillon koha për veprim”. Por ministri i emëruar i Financave shtoi gjithashtu: “Ne nuk humbasim në iluzione. Janë sfida të mëdha, këto me të cilat po përballemi.”
Tema më e rëndësishme e këtij dokumenti 177 faqesh të titulluar “Të guxojmë më shumë përparim” është, duke pasur parasysh pandeminë e coronavirusit, politika shëndetësore. Pikërëndesa të tjera janë kriza klimatike dhe digjitalizimi. Mbrojtja e klimës renditet si një detyrë transversale për të gjitha ministritë. Administrata dhe ekonomia duhet të bëhen më digjitale. Gjithashtu janë planifikuar përmirësime për personat me të ardhura të ulëta, qiramarrësit dhe familjet.
Nesër Scholz-i pritet të zgjidhet Kancelar Federal nga Bundestagu. Me këtë merr fund pas 16 vitesh epoka e Angela Merkelit (CDU), e cila nuk kandidoi në zgjedhjet e 26 shtatorit, Kabineti i Scholz-it gjithashtu do të bëjë betimin nesër. /DeutscheWelle/