Komuna e Pejës vazhdon të ketë gjendje të rënduar nga pandemia me Covid-19. Aktualisht janë 59 pacientë të shtrirë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës prej të cilëve 39 janë me oksigjenoterapi.

Drejtori i Shëndetësisë në Pejë ka kritikuar Institutin Kombëtar të Shëndetësisë në këtë komunë duke thënë se gjendja reale këtë komunë nuk është e njëjtë me atë që e paraqet Instituti. Koronavirusi ka prekur edhe punëtorët shëndetësorë në këtë komunë ku një infermiere ka ndërruar jetë sot ndërsa dhjetëra punëtorë të tjerë janë të infektuar.

Drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci thotë për KosovaPress se numri i pacientëve me simptoma të Covid19, qe orientohen nëpër qendrat shëndetësore për të kërkuar tretman mjekësor është rritur.

“Në Komunën e Pejës kemi hyrë në të disatën javë ku kemi një gjendje më të rënduar nga e kaluara sa i përket pandemisë me COVID-19, kemi shtim të rasteve pozitive të pacientëve. Gjithashtu kemi edhe rritje të pacientëve të cilët që orientohen nëpër qendrat shëndetësisë për të kërkuar tretman shëndetësor dhe që shfaqin simptomatologji që qojnë drejt Covid19. Aktualisht në komunën e Pejës kemi pacientë të cilët janë duke u trajtuar, ambulatorë, duke marrë terapinë e përshkruar nga ana e repartit infektiv të Spitalit të Përgjithshëm, në qendrën e mjekësisë familjare numër 5 që e kemi vendosur enkas vetëm për trajtim të pacientëve të dyshuar me Covid19 dhe të konstatuar në bazë të testimit me Covid19 , ndërsa janë 59 pacientë të shtrirë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës ku 39 prej tyre janë me oksigjenoterapi”, thotë Loci.

Megjithë përshkallëzimin e situatën me raste të shumtë të infektuar në këtë komunë, drejtori i Shëndetësisë thotë se situata është nën menaxhim dhe se po punojnë që e njëjta mos të dalë jashtë kontrollit.

Loci drejton kritika drejt Institutit të Shëndetësisë Publike në Pejë, ku thotë se gjendja reale në këtë komunë nuk është e njëjtë me atë që e praqet Instituti në rezultate.

Ai thotë se në teren një numër te madh të qytetarëve që kanë simptoma të Covid19, por qe me vonesë u bëhet testi dhe u del rezultati.

Gjendja reale në komunën e Pejës dhe rezultatet që ipen nga ana e Institut dallojnë si dita me natën…..Tanimë ka humbur kuptimi i pritjes meqë rezultatet shkojnë edhe një javë në pritjen e nxjerrjes së rezultateve, kemi raste kur në bazë të analizave laboratorike dhe rëntgenologjike qojnë për të pacienti dyshime te plota për Covid19 ndërsa derisa i nënshtrohet testimit e derisa del rezultati i testimit ai rezulton negativ me Covid19, pra kemi këtu diskrepancë sa i përket këtyre qëndrimeve dhe kjo paraqet një gjendje ireale sa i përket statistikave”, thotë ai.

Sot në mëngjes ka ndërruar jetë një punëtorë shëndetësore nga Peja, e prekur me Covid19.

Drejtori i Shëndetësisë thotë se nuk disponojnë informacione se ka pasur ndonjë sëmundje shoqëruese infermierja nga Peja që ka ndërruar jetë sot, e prekur me Covid19.

“Ka qenë pozitiv me Covid19 dhe është trajtuar për disa ditë edhe në QKUK, mirëpo fatkeqësisht sot kemi marrë njoftimin se infermierja e nderuar shumë vjeçare e cila ka dhënë një kontribut të çmuar në infermierinë e Pejës më nuk jeton”, thotë ai.

Në Pejë janë dhjetëra punëtorë shëndetësor të infektuar ne koronavirus.

Loci thotë se prekja e punëtorëve shëndetësor, apo edhe staf teknik mbështetës, ndikon drejtpërdrejtë në funksionalizimin e sistemit shëndetësor, ku shton se janë duke përpjekur për të rikuperuar mungesat e përkohshme kur preken personel shëndetësor./kp/