Site icon Telegrafi

Gili: Po i jetoj ditët e mia më të lumtura

Ajo është e angazhuar vazhdimisht me projekte të reja dhe është e pranishme nëpër mbrëmje të shumta muzikore ku tërheq fansa të shumtë të cilët shkojnë për t’u kënaqur me muzikën dhe performancën e saj të bukur.

Është e dashur për fansat, ndërsa karriera e saj në skenën shqiptare është një ëndërr për shumë këngëtarë të rinj.

Këngëtarja e mirënjohur kosovare, Gili, flet për Telegrafi.com

Telegrafi: Secila këngë e juaja shndërrohet në hit. Si arrini që pas gjithë këtyre viteve çdo herë që vini me një këngë të re, fitoni rishtas zemrat e fansave?

Gili: Është një punë në kontinuitet që kërkon koncentrim dhe hulumtim të vazhdueshëm. Ilir Berani është autor i te gjitha këngëve dhe teksteve te mija dhe ai vazhdimisht e pasuron grupin e bashkëpunëtoreve në mënyre që projekti të dal sa më profesional. Është edhe një dashuri mes këngëve te mija dhe publikut qe ka filluar vite me pare dhe ata thjeshte i mirëpresin risitë dhe shpresojnë që sërish të gjejnë strehë në këngët e mia. Më gëzon edhe numri gjithnjë e më i madh i adhuruesve të rinj të cilët më kanë dëgjuar qysh si fëmije me “Xixëllonjën” apo “Djali nga Kosova”.

Telegrafi: Nëpër forumet shqiptare shkruhen vetëm fjalë të bukura për ju. Jeni e pranishme nëpër mbrëmje të ndryshme argëtuese, pasioni për muzikën mbetet i njëjtë? Si komunikoni me publikun?

Gili: Nuk kam shume besim tek forumet sepse shume njerëz të ligë hyjnë me qellim që të shpifin për këngëtarët gjera nga me te neveritshmet. Edhe pse kryesisht shkruhet mire për mua kjo nuk me gëzon kur në të njëjtat forume lexoj edhe të pavërteta për kolegët e mi. Unë jam përcaktuar të punoj me ndershmëri dhe nuk i dua skandalet. Prezantoj gruan dhe nenën moderne shqiptare e cila jeton nga puna vetanake pa u lidhur me njerëz apo grupe te komprometuara moralisht apo edhe juridikisht. Ndaj edhe publiku im janë familjaret që për fat të keq janë renduar shume ekonomikisht në këtë shtetin tonë të varfër dhe jo gjithmonë kanë mundësi të vijnë në mbrëmjet e mia rinore por më përkrahin vazhdimisht në rrugë nëpër festivale apo kur votojnë dhe klikojnë këngët e mia. Në mbrëmje më tepër vijnë të rinjtë që sidomos i kërkojnë baladat e mia të dashurisë që janë nga më të pëlqyerat.

Telegrafi: Si është Gili jashtë angazhimeve profesionale? A gjeni kohë të lirë për gjërat e tjera?

Gili: Më janë dashur vite e vite të krijoj një sistem të punës që do të më jap më tepër kohë për familjen time. Tani jam më shumë pranë fëmijëve dhe po i jetoj ndoshta edhe ditët më të lumtura te miat. Për ketë kam punuar shumë. Asnjëherë nuk i preokupoj me problemet e shumta që i ka profesioni im. Ata marrin vetëm pjesët më të mira që i sjell kënga ime.

Telegrafi: Jeta në çift! Si e mbroni dhe si e ripërtërini dashurinë?

Gili: Jemi një çift që synojmë të mbetemi të drejtë në një kohë të mashtrimeve. Për fat të keq po i jetojmë vitet e një shthurje shoqërore që unë për vete nuk i mbaj mend. Droga alkooli e prostitucioni kanë zëne vend edhe në estradë dhe në një klime të tillë është shumë vështire të punosh me dike që është dhe propagon të kundërtën e asaj që jam unë. Por ne jemi te vendosur që për hir të fëmijëve dhe të rinjve qe duan te marrin shembull nga ne të qëndrojmë deri ne fund duke i dhëne shembull atyre që duan te na bashkëngjiten në ruajtjen e moralit që për shqiptaret ka qenë i shenjtë prej shekujsh.

Telegrafi: Cilat janë raportet tuaja me këngëtarët tjerë dhe kë e veçoni nga gjenerata e re? Ose a e gjeni veten te ndonjëra nga këngëtaret e reja?

Gili: Nuk mund ta gjej veten tek këngëtaret e reja sepse atyre për dallim nga gjenerata ime nuk iu jepet mundësia për koncerte solistike, për festivale të mëdha e për turne koncertale neper diaspore. Unë gjithë karrierën time kam kënduar vetëm këngët e mia. Nuk kam pasur nevoje të këndoj neper dasma e kafene. Mbrëmjet rinore imponojnë sot një muzike tjetër dhe shume pak nga arti qe mban ne vete mund ta shprehesh sot. Pres nga këngëtaret e reja një koncert te mire solistik me program vetanak. E veçoj Genta Ismailin për energjinë e re qe ka sjellë.

Telegrafi: Keni marrë pjesë në disa festivale ku nuk kanë munguar çmimet kryesore. Do të vazhdoni të jeni konkurruese edhe në të ardhmen?

Gili: Më me qejf shkoj në një festival se në një mbrëmje rinore .Por festivalet janë të pakta dhe jo te gjitha e meritojnë pjesëmarrjen. Sa here do të kem kënge te mire do të marr pjesë në festival. Pjesëmarrja e fundit ishte ajo në Kënga Magjike me këngën “Mysafire nderi”.

Telegrafi: Përveç Ilirit, burrit tuaj, me kë bashkëpunoni për realizimin e këngëve?

Gili: Iliri ka një grup të gjerë bashkëpunëtoresh nga më të mirët e të gjitha trojeve. Ai e bën përzgjedhjen dhe gjithmonë është treguar i suksesshëm.

Telegrafi: Industria muzikore në kohën moderne ka marrë një hov të madh, sidomos në realizimin e klipeve, por edhe incizimet janë më të mira falë teknikës më të përsosur. A mendoni se muzika që krijohet tash është më e mirë se ajo, të themi para njëzet vitesh?

Gili: Teknikisht po. Emocioni ndërkaq vjen nga shpirti dhe ai nuk e njeh kriterin e kohës dhe hapësirës. Edhe sot ka shumë këngë të bukura sikurse edhe ato qe u krijuan dekada me parë.

Telegrafi: Presim që të na madhëroni me këngë të bukura. Cilat janë projektet e një të ardhmeje më të afërt?

Gili: Do të bëj një duet që do të jetë befasi për të gjithë nuk e them as emrin e as kohen. Deri atëherë dëgjoni këngët nga albumi i fundit "20 vjet ne diaspore".

Exit mobile version