Please enter at least 3 characters.

Gazetari rumun për Telegrafin: Futbollistët kosovarë po lënë gjurmë në Rumani – veçon njërin nga ta dhe përmend transferimin afër 1 milion euro 

Radu Stroe, gazetar sportiv nga mediumi i njohur rumun Sport.ro, në një intervistë për Telegrafin ka ndarë vlerësimet e tij për ndikimin dhe zhvillimin e futbollistëve kosovarë në kampionatin rumun.

Sipas tij, prania e emrave si Astrit Selmani, Meriton Korenica, Lindon Emërllahu këtë sezon – por edhe e futbollistëve që tashmë janë larguar si Albion Rrahmani, Ermal Krasniqi, Armend Thaqi, Albin Berisha e Florent Hasani – tregon se interesimi i klubeve të elitës rumune për lojtarët nga Kosova është në rritje.

“Nëse shohim sa shumë futbollistë nga Kosova kanë arritur të luajnë në futbollin rumun, është e qartë se skuadrat e Liga 1 po i ndjekin me shumë interes. Transferimet si ato të Rrahmanit dhe Krasniqit e dëshmojnë cilësinë që ata sjellin. Madje, është shumë e rrallë që një skuadër rumune të paguajë shuma të mëdha për një lojtar që vjen nga brenda kampionatit. Rreth një milion euro janë paguar për Hazrollaj, dhe kjo flet shumë për vlerësimin që ata marrin”, ka thënë Radu Stroe.

Ai e sheh me optimizëm të ardhmen e futbollit kosovar dhe beson se zhvillimi i mëtejmë është çështje kohe. Ai si shembull të rritjes së futbollit kosovar i merr përballjet mes Cluj dhe Ballkanit, por edhe ndeshjet në nivel kombëtaresh mes Rumanisë dhe Kosovës.

“Jam i bindur që cilësia ekziston, por është një proces. Me kalimin e kohës, futbolli kosovar do të zhvillohet edhe më shumë, si në nivel klubesh, ashtu edhe me përfaqësuesen. Të mos harrojmë që para tre vitesh, CFR Cluj – kampion i Rumanisë në atë kohë – u vu në vështirësi nga Ballkani. Edhe në ndeshjet e përfaqësueseve, duelet kanë qenë të barabarta”, deklaroi Stroe për Telegrafin.

Kur pyetet për lojtarët kosovar që kanë shkëlqyer në Rumani, Stroe ndalet veçanërisht te Astrit Selmani, të cilin e vlerëson lartë jo vetëm si futbollist, por edhe për personalitetin e tij.

“Mua personalisht më pëlqen shumë Astrit Selmani, edhe për faktin se kam një simpati për Dinamon. Nuk shkëlqeu në muajt e parë, por më pas u bë lojtar i pazëvendësueshëm dhe shumë i dashur për tifozët. Madje, ai ka thënë se një ditë do të donte të kthehej te Dinamo, qoftë si lojtar, qoftë në ndonjë rol tjetër në klub – dhe kjo tregon shumë për të si njeri. Ka shumë momente kur ai përpiqet të marrë përgjegjësi dhe motivon fuqishëm bashkëlojtarët”, nënvizoi ai.

I pyetur për atmosferën ndaj lojtarëve kosovarë në Rumani, gazetari rumun e përjashtoi çdo formë paragjykimi apo trajtimi të keq. Sipas tij lojtarët nga Kosova janë mjaftë të pelqyer në Rumani.

“Të gjithë futbollistët kosovarë janë shumë të vlerësuar dhe të respektuar në Rumani. Nuk ka pasur asnjëherë incidente me kore fyese ndaj tyre. Ajo që ndodhi në ndeshjen Rumani-Kosovë ishte vepër e disa grupeve ultra-nacionaliste dhe nuk kishte lidhje me futbollin. Shpresoj që raste të tilla të mos përsëriten më, dhe që gjithçka të vendoset në fushën e lojës”, mbyll mendimin e tij Radu Stroe.

Astrit Selmani do të largohet nga Dinamo Bukuresht për një aventurë të re, ndërsa Meriton Korenica dhe Lindon Emërllahu janë nën kontratë me Cluj. Në verë nga Kosova do të bashkohet edhe Drilon Hazrollaj, te Dinamo Bukuresht. /Telegrafi/