Aleanca më e madhe ushtarake në botë ka gjasa të përjetojë zgjerimin më të shpejtë në historinë e saj mbi 70-vjeçare. Finlanda dhe Suedia kanë dorëzuar zyrtarisht aplikimet për anëtarësim në NATO, më 18 maj, për t’i dhënë fund statusit të tyre të gjatë neutral.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se i mirëpret ngrohtësisht kërkesat e dy vendeve.

“Ju jeni partnerët tanë më të afërt dhe anëtarësimi juaj në NATO do ta rrisë sigurinë tonë të përbashkët. Aplikimet që keni bërë sot, janë një hap historik. Aleatët do t’i shqyrtojnë tani hapat e ardhshëm drejt NATO-s”, ka thënë Stoltenberg.

Negociatat e anëtarësimit pritet të zgjasin vetëm disa javë, marrë parasysh se Finlanda dhe Suedia janë partnere të NATO-s qysh në vitin 1994 dhe, gjatë viteve, kanë kontribuar vazhdimisht në misione të udhëhequra nga NATO-ja.

Ato tashmë i plotësojnë kriteret e anëtarësimit, duke qenë demokraci funksionale, duke pasur marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, kufij të qartë dhe forca të armatosura në hap me aleatët. Megjithatë, të 30 anëtarët aktualë duhet të ratifikojnë anëtarësimin e tyre dhe ky proces mund të marrë më shumë kohë.

Procesi i ratifikimit për Maqedoninë e Veriut – vendin e fundit që është pranuar në NATO, më 2020 – ka zgjatur rreth një vit, ndërsa negociatat e anëtarësimit me një vend aspirues mund të marrin edhe vite kohë.

Për Finlandën dhe Suedinë, tash për tash, vetëm një vend thotë “jo”: Turqia. Kundërshtimet e saj kanë të bëjnë me çështjen e disa figurave kurde, që Helsinki dhe Stokholmi refuzojnë t’i ekstradojnë.

Por, përkundër kësaj, Shtëpia e Bardhë ka shprehur bindjen se dy vendet aspiruese do të anëtarësohen shpejt në aleancën ushtarake të NATO-s.

“Jemi të bindur se në fund të ditës, Finlanda dhe Suedia do të kenë një proces efektiv të anëtarësimit [dhe] shqetësimet e Turqisë mund të adresohen”, ka thënë këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan.

Finlanda dhe Suedia kanë qenë ushtarakisht neutrale që nga Lufta e Dytë Botërore. Por, lufta e Rusisë në Ukrainë ka lëkundur në themel pikëpamjet e tyre për sigurinë. Nëse Kremlini ka pushtuar Ukrainën – vend me 44 milionë banorë dhe mbi 200 mijë ushtarë aktivë – çfarë mund ta ndalojë atë nga pushtimi i vendeve më të vogla, si Finlanda dhe Suedia? E para ka 23,000 forca aktive, e dyta 16,000.

Kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, shteti i së cilës ndan mbi 1,300 kilometra kufi me Rusinë, ka thënë se “gjithçka ka ndryshuar kur shteti rus ka pushtuar Ukrainën”. Mendësia e njerëzve në Finlandë, por edhe në Suedi, ka ndryshuar në mënyrë dramatike, sipas saj.

Që nga 24 shkurti, kur edhe ka nisur lufta në Ukrainë, mbështetja publike për anëtarësim në NATO në Finlandë është rritur nga rreth 30% në gati 80% në disa sondazhe. Në Suedi, shumica e qytetarëve mbështesin po ashtu anëtarësimin në NATO, tregojnë sondazhet atje.

NATO funksionon mbi bazën e Nenit 5, i cili thotë se sulmi në një vend anëtar të NATO-s nënkupton sulm kundër të gjithëve dhe, rrjedhimisht, nxit përgjigje kolektive.

Disa ekspertë ushtarakë thonë se Rusia nuk e ka sulmuar Ukrainën për shkak të dëshirës së saj për t’u anëtarësuar në NATO, por për shkak të mosqenët të saj në NATO. Sikur Ukraina të ishte në NATO, Rusia do të duhej të hynte në luftë kundër gjithë aleancës. Ky është edhe mësimi që kanë nxjerrë Finlanda dhe Suedia pas 24 shkurtit.

Ben Hodges, ish-komandant i forcave amerikane në Evropë, flet për programin Expose të Radios Evropa e Lirë:

“Duke sulmuar Ukrainën, Rusia i ka shtyrë këto dy vende – tradicionalisht neutrale – drejt NATO-s. Ky është gabimi i vetëm këtu. Rusia natyrisht se do të kërcënojë, do të ankohet, por nuk ka asgjë që mund të bëjë kundër Finlandës ose Suedisë”.

“Ushtrisë ruse nuk i ka mbetur asgjë, përveç armëve bërthamore, që mund t’i përdorë si kërcënim kundër Suedisë ose Finlandës. Por, sigurisht, nuk do t’i përdorë armët bërthamore atje. Këto janë kërcënime boshe, të zbrazëta, ashtu siç janë shumica e kërcënimeve të Kremlinit”, thotë Hodges.

Moska ka kërcënuar tashmë se do të ndërmarrë hapa hakmarrës kundër Finlandës dhe Suedisë. Zyrtarët rusë kanë thënë se do të detyrohen të forcojnë mbrojtjen në Baltik, duke vendosur edhe armë bërthamore. Sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, zgjerimi i NATO-s nuk do të sjellë më shumë stabilitet në Evropë.

Por, gjenerali Hodges thotë se do të ndodhë e kundërta: kontinenti evropian do të bëhet më i sigurt me anëtarësimin e Finlandës dhe të Suedisë në aleancë.

“Të dyja vendet kanë ushtri relativisht të vogla, por shumë efektive dhe profesionale. Të dyja mund t’i mobilizojnë me shpejtësi rezervistët, sidomos Finlanda. Gjatë dekadave – siç mund ta imagjinoni – atyre u është dashur ta përsosin këtë proces, dhe është shumë mbresëlënëse. Ato do të përmirësojnë ndjeshëm mbrojtjen ajrore dhe raketore në rajon. Pra, Deti Baltik dhe, në fakt, gjithë rajoni i Arktikut bëhet më i sigurt”, thotë Hodges.

Harry Nedelcu, ekspert i NATO-s dhe drejtor i politikave në Institutin Rasmussen Global, thotë për Exposenë se anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO, përveçse do të rrisë sigurinë, do të dërgojë edhe dy mesazhe të fuqishme në Kremlin:

“I pari tregon se agresioni nga Rusia nuk shpaguhet dhe se Rusia do të ketë më shumë NATO, jo më pak NATO”.

“Dhe, i dyti, është për t’iu demonstruar njerëzve atje, por edhe gjithë botës se vendet janë të lira që të krijojnë vetë politikën e tyre të jashtme. Politika e jashtme nuk mund të mbahet peng nga një fuqi e huaj”, thotë Nedelcu.

Ai shton se kërcënimet e Rusisë duhen trajtuar seriozisht, por nuk beson se mund të ketë sulm direkt kundër Finlandës ose Suedisë.

“Padyshim se ka gjëra që rusët mund t’i bëjnë, e që mund të jenë nën pragun e një sulmi konvencional. Ata mund të kryejnë sulme hibride, të bëjnë fushatë dezinformimi, të ripozicionojnë asete, përfshirë në rajonin e Kaliningradit. Pra, mund të bëjnë veprime të tilla”.

“Megjithatë, një sulm konvencional kundër këtyre dy vendeve – marrë parasysh situatën e vështirë në të cilën ndodhet Rusia në Ukrainë – nuk ka gjasa për momentin”, thotë Nedelcu.

Suedia dhe Finlanda kanë marrë garanci për mbështetje nga Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, në rast se sulmohen përpara se të bëhen anëtare të plota të NATO-s. Ndërkaq, kryeministri britanik, Boris Johnson, ka nënshkruar marrëveshje për sigurinë me homologët e të dyja vendeve.

“Suedia, Finlanda, gjithsesi, janë pjesë e familjes sonë të vendeve liberale demokratike. Sigurisht se do t’i ndihmojmë në rast të sulmit ose fatkeqësisë”, ka thënë Johnson.

Putin, pa asnjë bazë, pretendon se NATO-ja kërcënon sigurinë kombëtare të shtetit rus. Përpara se të urdhëronte pushtimin e Ukrainës, ai ka thënë se NATO-ja i është afruar shumë Rusisë dhe se ajo duhet të largohet në kufijtë e viteve 1990, kur disa vende, qofshin fqinje të Rusisë, qofshin ish-sovjetike, nuk kanë qenë ende anëtare të aleancës. NATO e ka hedhur poshtë këtë kërkesë dhe vazhdimisht mohon se Rusia është shënjestër e saj.

Sot, kufiri tokësor i Rusisë me vendet anëtare të NATO-s është 1,215 kilometra i gjatë. Me anëtarësimin eventual të Finlandës në NATO, ky kufi do të rritet për 1,340 kilometra – aq sa është gjatësia e kufirit Finlandë-Rusi.

NATO është formuar në vitin 1949, për t’iu kundërvënë kryesisht kërcënimeve nga Bashkimi i atëhershëm Sovjetik. Vende themeluese kanë qenë 12, përfshirë SHBA-në, Kanadanë dhe shtete të tjera të Evropës Perëndimore. Sot, aleanca numëron 30 anëtarë, në mesin e tyre katër nga Ballkani Perëndimor: Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. /rel/