Site icon Telegrafi

Fshini këtë aplikacion para se të bëhet vonë

Përdoruesve të pajisjeve Android u rekomandohet të jenë të kujdesshëm, pasi rrezikon një kërcënim nga një aplikacion i ri keqdashës.

Aplikacioni Finance Simplified, i cili mund të shkarkohej nga dyqani Google Play, ishte në fakt një softuer i maskuar keqdashës. Aplikacioni është shkarkuar më shumë se 100 mijë herë dhe e ka marrë formën e një aplikacioni legjitim financiar për huadhënie.

Finance Simplified i përket familjes së viruseve SpyLoan dhe ka arritur të kalojë mbrojtjen e Google Play, sepse në skedarin e tij APK nuk kishte kod keqdashës. Në vend të kësaj, përdorte komponentin WebView për të drejtuar përdoruesit në faqe të jashtme interneti, ku ndodhte mashtrimi konkret.

Aplikacioni paraqitej si një mjet për huadhënie të shpejtë online, pa procedura të komplikuara.

Megjithatë, kur përdoruesi merrte hua, aplikacioni ngarkonte interesa shumë të larta. Për më tepër, Finance Simplified kërkonte leje të ndryshme, duke përfshirë qasje në fotografi private dhe të dhëna të tjera të ndjeshme që mund të përdoren për shantazhimin e viktimave.

Google ka konfirmuar se aplikacioni Finance Simplified është hequr nga dyqani Play dhe i ka sugjeruar përdoruesve të mbështeten në Google Play Protect, i cili automatikisht detekton dhe bllokon softuerin keqdashës, madje edhe nëse ai është shkarkuar nga dyqane të jashtme aplikacionesh.

Përdoruesve u rekomandohet, nëse e kanë instaluar Finance Simplified, që të fshijnë menjëherë aplikacionin nga pajisja e tyre; të kontrollojnë lejet që u kanë dhënë këtij dhe aplikacioneve të tjera; të ndryshojnë fjalëkalimet për shërbimet e rëndësishme dhe të ndjeshme që përdorin, veçanërisht ato që lidhen me llogaritë bankare. /Telegrafi/

Exit mobile version