LAJMI I FUNDIT:

Fondi Rajonal i Sfidave – Gjashtë projekte nga Kosova përfitojnë grante rreth 3 milionë euro

Fondi Rajonal i Sfidave – Gjashtë projekte nga Kosova përfitojnë grante rreth 3 milionë euro

Gjashtë projektet më të suksesshme nga Kosova janë propozuar për financim në thirrjen e parë të Fondit Rajonal të Sfidave, duke ndarë rreth 3 milionë euro për investime në pajisje, infrastrukturë dhe trajnime në institutet e aftësimit profesional që zbatojnë trajnime bashkëpunuese.

Fondi Rajonal i Sfidave (RCF) organizoi Ceremoninë Kombëtare të ndarjes së granteve në Kosovë me qëllim publikimin e rezultateve të thirrjes së parë dhe ndarjes së granteve për konsorciumet fituese.


Në thirrjen e parë për shprehje interesi, RCF pranoi 205 aplikime nga konsorciumet e instituteve të formimit profesional dhe ndërmarrjeve nga të gjitha ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.

Vendimi i Komisionit Përzgjedhës për fondet në dispozicion për thirrjen e parë rezultoi në propozimin e 37 projekteve për financim, duke i ndarë rreth 15,4 milionë euro për rajonin.

Nga ky numër 6 projekte janë nga Kosova duke ndarë përafërsisht 3 milionë euro për investime në pajisje, infrastrukturë dhe trajnime në institutet e aftësimit profesional që zbatojnë trajnime bashkëpunuese.

Ndarja e projekteve për Kosovën përfaqëson shkallën më të lartë të përzgjedhjes në një shtet të vetëm.

Berat Rukiqi, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, deklaroi se shqetësimet vazhdojnë të lidhen me tregun e punës dhe situatën në sektorin privat sa i përket mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar.

Ai vlerësoi punën e Fondit Rajonal të Sfidave në financimin e konsorciumeve dhe falënderoi në mënyrë të veçantë Qeverinë Gjermane, e cila ka qenë një nga partnerët kryesorë të vendit në zhvillimin e sektorit të arsimit dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, e cila ka qenë shumë aktive në mbështetjen e Sektorit të AAP-së.

“Këto përpjekje tregojnë se si qeveria ashtu edhe institucionet tona së bashku me donatorët po i japin seriozitetin e duhur AAP, që është vendimtar për hapjen e vendeve të reja të punës dhe për zhvillimin ekonomik të vendit”, tha ai.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërrie Nagavci tha se sistemi i arsimit dhe aftësimit profesional luan një rol të rëndësishëm dhe vendimtar në zhvillimin social dhe ekonomik të një vendi.

“Sistemi i arsimit dhe aftësimit profesional luan një rol të rëndësishëm dhe vendimtar në zhvillimin social dhe ekonomik të një vendi, si i tillë është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën dhe Qeverinë tonë”, tha Nagavci.

Ajo vazhdoi duke thënë se “edhe pse Kosova ka pasur një zhvillim pozitiv ekonomik që nga paslufta, arsimi dhe aftësimi profesional ende nuk ka arritur të zhvillohet dhe avancohet në mënyrë që të plotësojë nevojat e ekonomisë me punëtorë të kualifikuar”.

“Ekziston një çekuilibër i konsiderueshëm midis kërkesave të tregut të punës dhe të diplomuarve qoftë nga arsimi i mesëm profesional apo nga arsimi i lartë”.

Ajo përgëzoi Fondin Rajonal të Sfidave për rezultatin e arritur dhe tha se ishte e nderuar që mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së granteve në Kosovë pasi struktura e financimit është krijuar për të rritur përmirësimin e mëtutjeshëm të aftësive të të rinjve dhe për të rritur cilësinë e arsimit të AAP-së nëpërmjet financimit të investimeve në pajisje dhe infrastrukturë.

Më tej, Nagavci u shpreh: “Si ministre e Arsimit, jam mirënjohëse dhe falënderuese për iniciativën e ndërmarrë nga Banka Gjermane për Zhvillim dhe financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, veçanërisht që kjo iniciativë do të shërbejë edhe si nxitje, për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe ndërmarrjeve të arsimit dhe aftësimit profesional.  Në këtë mënyrë studentëve të konsorciumeve të suksesshme mund t’u ofrohen aftësitë e kërkuara nga tregu i punës.”

Balsa Culafiç, Koordinator i Programit të ËB6 CIF shprehu mirënjohjen e tij për ceremoninë e parë kombëtare të ndarjes së granteve në Kosovë.

Ai deklaroi se CIF përfaqëson 350,000 kompani, kryesisht ndërmarrje të vogla dhe të mesme, duke hapur mundësi të reja për një komunitet më të fortë të rrjeteve të biznesit në rajon.  Ai konfirmoi se CIF si partner implementues do të mbështesë zbatimin e projekteve të përbashkëta tashmë të përzgjedhura ndërmjet IAP-ve dhe ndërmarrjeve dhe shprehu pritjen që këto të pasohen me projekte shtesë që do të përzgjidhen në thirrjet e ardhshme.

Jörn Rohde, Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë deklaroi se të gjitha ekonomitë në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me të njëjtën sfidë të mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar.

Ndërsa Fondi Rajonal i Sfidave mund të mos jetë në gjendje të zgjidhë të gjitha problemet, është një rrufepritës për faktin se kompanitë dhe institucionet e formimit profesional po bashkëpunojnë në këtë drejtim.

Rohde më tej tha: “Jam shumë i lumtur që 26 aplikacione nga 205 për të gjithë rajonin dhe 6 projekte të përzgjedhura nga 37 vijnë nga Kosova.  Nëpërmjet mbështetjes së Fondit Rajonale të Sfidave, punëtorët e kualifikuar po mbahen këtu dhe po trajnohen këtu në Kosovë, dhe mund të presim një rritje të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe kompanive të AAP-së.  Mendoj se është një situatë e favorshme për të gjithë aktorët dhe shpresoj se ky program do të vazhdojë me thirrje më të suksesshme në të ardhmen.”

Rene Eschemann, Drejtor i Zyrës së KFW-së në Kosovë kujtoi se në lansimin e thirrjes së parë i është referuar “aleancës së të gatshmëve”.

“Sot kemi anëtarët e parë të kësaj aleance dhe dëshiroj të përgëzoj 6 konsorciumet fituese nga Kosova që kanë fituar në thirrjen e parë të Fondit Rajonal të Sfidave”, tha ai.

Ai iu drejtua grant marrësve duke thënë: “Tani pritshmëritë janë të mëdha, jo vetëm nga ne, por më të rëndësishme nga të rinjtë që do të marrin pjesë në programet tuaja me shpresën se do të pajisen me aftësitë dhe kualifikimet për t’u përshtatur me vendet e punës.  Sigurisht që edhe pritshmëritë e kompanive do të jenë të larta ndaj këtyre të rinjve që ata të përshtaten me programin dhe të zhvillohen në mënyrë të mirë.  Por kjo duhet kuptuar më tepër si një motivim, si një motorr, për të tentuar dhe zhvilluar trajnimin tuaj për nevojat e kompanive dhe tregut të punës.  Kemi 6 projekte nga Kosova për të cilat janë ndarë 3 milionë euro për financim.  Krahasuar me madhësinë e ekonomisë dhe popullsisë, do të thoja se ky është një rezultat shumë i jashtëzakonshëm”.

Ceremonia e ndarjes së granteve u zhvillua në hotelin Sëiss Diamond dhe mblodhi zyrtarët e ËB6 CIF, Ambasadës Gjermane, KfË, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Fondit Rajonal te Sfidave, Donatorëve dhe konsorciumet fituese nga Kosova, për të shënuar suksesin e tyre. /Telegrafi/